Nga Mark Temnycky, euobserver
Ndërsa Rusia ka vendosur trupat ushtarakë pranë kufirit lindor të Ukrainës, ndërkombëtarët janë të shqetësuar për diçka. A do të nisë Rusia një ofensivë të re në Ukrainë?
Sipas disa analistëve dhe ekspertëve politikë, Rusia po përpiqet të provokojë një reagim nga administrata e re e SHBA ndërsa përpiqet të shqetësojë Ukrainën. Rusia tashmë ka pësuar humbje të mëdha nga konflikti i vazhdueshëm në Donbas, ku 14,000 ushtarë dhe civilë ukrainas dhe rusë janë vrarë.
Aneksimi i paligjshëm i Krimesë gjithashtu nuk ka shkuar sipas planit. Gjatë shtatë viteve të fundit, Rusia ka shpenzuar miliarda në përpjekjen për të marrë gadishullin.
Pra, kostot e një ofensive të re në Donbas do të ishin shumë të shtrenjta për presidentin rus Vladimir Putin dhe njerëzit e tij. Humbja e ushtarëve do të ishte gjithashtu e rëndë.
Sidoqoftë, studiues dhe specialistë të tjerë kanë argumentuar se ekziston mundësia për një inkursion të ri rus. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Rusia është përpjekur vazhdimisht t’i mbajë fqinjët brenda sferës së saj të ndikimit.
Perëndimi e ka dëshmuar këtë të paktën në dy raste.
Tri opsione
Së pari, NATO mund të kryejë stërvitje të përbashkëta ushtarake me forcat ukrainase pranë kufirit perëndimor të Ukrainës. Perëndimi gjithashtu mund të stacionojë anije në Detin e Zi . Këto veprime do të tregojnë se Perëndimi është i përkushtuar për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
As Perëndimi dhe as Rusia nuk janë të gatshëm të fillojnë një luftë botërore mbi Ukrainën, që do të thotë se një përgjigje e fortë do t’i tregonte Rusisë se Perëndimi është serioz. Kjo ka të ngjarë të de-përshkallëzojë tensionet pranë kufirit Ruso-Ukrainas, raporton abcnews.al
Një alternativë e dytë dhe më pak e fuqishme do të ishte vendosja e sanksioneve nga Perëndimi mbi Federatën Ruse. Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Rusisë për helmimin e Alexei Navalny, por Rusia nuk është ndëshkuar për ndërhyrjen e saj në zgjedhjet presidenciale të SHBA 2020 dhe sulmet e fundit kibernetike.
Nëse SHBA dhe Bashkimi Europian vendosin sanksione të reja dhe më të mëdha, ata duhet të synojnë pronarët e bizneseve ruse dhe politikanët afër Putinit. Zbatimi i këtyre sanksioneve të rënda do të dobësonte më tej ekonominë ruse, dhe kjo ka të ngjarë të çojë në tërheqjen e trupave rusë.
Një opsion i tretë që Perëndimi duhet të ndjekë është dialogu i vazhdueshëm me udhëheqësit ukrainas. Gjatë javëve të fundit, përfaqësuesit amerikanë dhe europianë kanë biseduar me zyrtarët ukrainas. Gjatë këtyre diskutimeve, udhëheqësit perëndimorë riafirmuan angazhimin e tyre ndaj Ukrainës.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg dhe ministri i jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba gjithashtu u takuan për të diskutuar tensionet e fundit pranë kufirit Ruso-Ukrainas.
Këto ndërveprime tregojnë se Perëndimi është serioz në lidhje me marrëdhëniet e tij me Ukrainën dhe se ai do të mbështesë shtetin e Europës Lindore tani që ka më shumë nevojë. Politikanët perëndimorë duhet gjithashtu të bashkëpunojnë me homologët e tyre rusë për t’i dhënë një zgjidhje konfliktit.
Dialogu i hapur do të tregonte se Perëndimi dhe Rusia janë të gatshëm të bashkëpunojnë për këtë çështje kaq të rëndësishme.
Enigma e Putinit
Në përgjithësi, shumë politikanë, nëpunës civilë dhe politikëbërës perëndimorë janë të habitur nga synimet e Putin ndërsa Rusia përforcon praninë e saj ushtarake pranë kufirit lindor të Ukrainës.
Disa kanë argumentuar se Rusia po përpiqet të provokojë një përgjigje nga Perëndimi. Të tjerë pretendojnë se rusët po përgatiten për një sulm tjetër. Duke pasur parasysh këtë pasiguri, Perëndimi duhet të jetë i përgatitur t’i kundërpërgjigjet Rusisë.
Një inkursion i ri rus në Ukrainë do të përmbyste sistemin e sigurisë së kontinentit Europian dhe udhëheqësit perëndimorë duhet të jenë të gatshëm për këtë skenar të mundshëm. Nëse nuk janë të përgatitur, pasojat e këtyre ngjarjeve do të jenë katastrofike për Europën dhe globin. Përktheu Sonila Backa/abcnews.al