Variantet e reja të Covid, sfida tjetër e radhës. A do të na mbrojnë vaksinat?

schedule10:26 - 15 Prill, 2021

schedule 10:26 - 15 Prill, 2021

Nga Julian Tang, The Guardian

Të gjitha viruset pësojnë mutacion për t’u përshtatur dhe mbijetuar më mirë. Virusi që shkakton Covid-19 është zhvendosur nga sfera e kafshëve, ku ka shumë të ngjarë të ketë origjinën nga  lakuriqët e natës,  në botën njerëzore.

Që nga ajo kohë, shkencëtarët janë në një betejë midis përhapjes së virusit dhe aftësisë për t’u imunizuar kundër tij. Tani kemi vaksinat për të na mbrojtur nga Covid-19 – por çfarë do të ndodhë kur ky virus të  pësojë mutacione, siç pritet të ndodhë?

Ndërsa disa masa janë lehtësuar, pjesa jugore e Londrës ka regjistruar shifra të larta të infektuarish me variantin afrikan.

Gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, trajtimi i varianteve të reja do të jetë një nga sfidat kryesore me të cilat do të përballen shkencëtarët. Disa vaksina tregojnë shenja premtuese ndaj varianteve të reja – vaksinat mARN të prodhuara nga Pfizer dhe Moderna duket se ofrojnë mbrojtje ndaj varianteve të identifikuara për herë të parë në Kent dhe Afrikën e Jugut, raporton abcnews.al

Shumica e virologëve mendojnë se vaksinat Covid-19 do të jenë efikase kundër sëmundjeve të rënda dhe vdekjes, madje edhe tek njerëzit  e infektuar me variantet e reja.

Por ka ende shumë për të bërë. Edhe nëse vaksinohemi mund të infektohemi dhe të jemi simptomatike duke transmetuar në këtë mënyrë virusin.

Për më tepër, disa vaksina mund të ofrojnë pak ose aspak mbrojtje kundër njerëzve që infektohen nga një variant Covid-19  (por ekspertët besojnë se vaksinat, së bashku me përgjigjen imune natyrore duhet të ofrojnë  mbrojtje të mjaftueshme për të parandaluar sëmundjen dhe vdekjen).

Për shembull, provat klinike dhe studimet laboratorike tregojnë se AstraZeneca është vetëm rreth 10% efektive në mbrojtjen nga varianti afrikan por shkencëtarët ende mendojnë që vaksina  do të jetë efektive ndaj këtij varianti.

Një pyetje tjetër është se sa zgjat imuniteti i vaksinës dhe nëse njerëzit bëhen më të ndjeshëm ndaj variante të ndryshme pasi nivelet e antitrupave  bien me kalimin e kohës.

Virologët shpresojnë që vaksinat të zhvillojnë imunitet afatgjatë. Prandaj, nëse personi infektohet përsëri virusin, sistemi i tij imunitar mund të përgjigjet shpejt duke prodhuar qeliza B të aktivizuara (të cilat prodhojnë antitrupa) dhe qeliza T (të cilat vrasin qelizat e infektuara nga virusi) për ta luftuar atë.

Virusi që shkakton Covid-19 mund të prodhojë variante të reja në dy mënyra të ndryshme.

Së pari, virusi mund të pësojë rikombinim gjenetik , gjë që ndodh kur pjesë të ndryshme gjenesh nga viruse të ndryshme infektojnë të njëjtën qelizë dhe bashkohen për të prodhuar variante të reja.

 Së dyti, virusi mund të infektojë një pacient me imunitet të dobët për një kohë të gjatë, dhe pastaj të evoluojë në organizmin e tij për të prodhuar një variant të ri.

Ky proces evolucionar mund të çojë në shfaqjen e një varianti të ri që mund të shmangë mbrojtjen nga vaksinat.

Atëherë, si mund t’i luftojmë variantet e reja?

Disa nga vaksinat e gjeneratës së parë Covid-19, të tilla si ato mARN, shkaktojnë një gamë më të gjerë të mbrojtjes se të tjerët. Dhe tashmë ka plane për të azhurnuar vaksinat Pfizer, Moderna dhe AstraZeneca që janë më efektive kundër variantit afrikan. Por është praktikisht dhe ekonomikisht e vështirë të azhurnosh vazhdimisht çdo vaksinë Covid-19 sa herë që shfaqet një variant i ri.

Një opsion është trajtimi i Covid-19 njësoj siç ndodh me gripin sezonal. Çdo vit, ekspertët zgjedhin me kujdes një vaksinë të gripit bazuar në atë që ata mendojnë se do të bëhet lloji dominues i gripit. Ne mund ta zbatojmë këtë princip për vaksinat e Covid.

Ky është qëllimi i rrjetit të laboratorëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në SHBA, Britani, Kinë, Japoni dhe Australi, të cilët punojnë së bashku për të identifikuar llojet e reja të virusit të gripit.

Një rrjet global i mbikëqyrjes së Covid-19 mund të funksionojë në të njëjtën mënyrë . Kjo do të përfshinte laboratorë diagnostikues nga e gjithë bota që dorëzojnë mostra klinike dhe më pas mund të krahasojnë sekuencat e ndryshme virale.

Një rrjet i dedikuar mbikëqyrjes do të përcaktojë se sa vaksina Covid do të duhen të projektohen, prodhohen dhe shpërndahen për të mposhtur variantet e reja. Sigurisht që gjithmonë ekziston frika se mund të shfaqet një variant i ri duke iu shpëtuar gjitha vaksinave ekzistuese dhe imunitetit natyror.

Kjo është diçka shumë e njohur për gripin: ekspertët e quajnë “variant pandemik”.

Në vitet që do të vijnë, ky mund të jetë gjithashtu një rrezik për virusin që shkakton Covid-19. Vetëm vigjilenca, monitorimi dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm do ta ndihmojnë botën të zbulojë një variant të tillë dhe të parandalojë një pandemi katastrofike që të ndodhë përsëri. Përktheu Sonila Backa/abcnews.al