Këmbanë alarmi për shoqërinë e quan Lulzim Basha rastin e Xhisiela Malokut, të cilin e krahason me atë të Griseldës, gruas së Elvis Rroshit, për gënjeshtrën e së cilës socialistët në opozitë dërguan letra në Bashkimin Europian.
“Ja ku kemi një vajzë jetime e cila shënjestrohet nga një grup kriminal, rrëmbehet, dhunohet, përdhunohet. Shkon të bëj kallëzim dhe atje çfarë ndodh? Ngrihet shteti, policia, prokuroria, deputeti, kryetari i bashkisë, kryetari i grupit parlamentar dhe media e kontrolluar nga shteti për ta shpallur me delir xhelozie. Koka e këtij sistemi është njeriu që bërtiti deri në Bruksel për Griseldën, për atë rastin e shpikur gjoja sikur ishte me barrë e dashura e Rroshit të Kavajës, ndërsa tani bën memecin, ky është problemi”, tha Basha.
Ky problem zgjidhet jo vetëm me largimin e Edi Ramës, thekson Basha, por me shembjen e sistemit të kalbur, e nëse të parën për të mund ta arrijë vetëm populli, e dyta është detyrë e opozitës.
“Ne ofrojmë zgjidhje politike dhe zgjidhja politike që ne parashtrojmë është largimi i politikanëve të lidhur me krimin. Ne nuk bëjmë dot thirrje për dhunë dhe as nuk mund ta rrëzojmë me dhunë Ramën. Në rast se unë bëj thirrje për ta rrëzuar Ramën me dhunë është grusht shteti. Rrëzimin qoftë me dhunë mund ta bëjë populli. 7 ditë po të mblidhen ditën e 8 ai bie. Qëllimi im është ta bind popullin dhe të ofroj alternativën se unë jam në rolin tim si parti politike, si kryetar i PD-së. Alternativa janë platformat”, tha ai.
Një përgjigje ja dha edhe akuzave të vazhdueshme të mazhorancës artikuluar nga kryesia e Kuvendit në drejtim të tij.
“Kunati im ka një aktivitet privat, nuk ka përfituar asnjëherë fond nga qeveria. Asnjë prej klientëve të kunatit tim nuk kanë përfituar favore nga unë dhe nuk ka për të marrë kurrë. Thënë kjo ky ka 5 vjet kryeministër, kontrollon inspektorë tatimorë, antikontrabandën, prokurorinë, SHISH-in çdo gjë, nëse ka një fakt të vetëm shkon para ligjit ose ta qepë Edi Rama”, tha Basha.
Kryedemokrati Lulzim Basha përsëriti deklaratën se ai i pari dhe forca politike që drejton nuk kanë hequr dorë nga Teatri Kombëtar dhe se për mbrojtjen e tij do të përballen me të gjitha mjetet e nevojshme./abcnews.al

