Kancelarja Angela Merkel ka kritikuar qasjen proteksioniste dhe nacionaliste të Shteteve të Bashkuara. Dy ditë pas fjalimit të Donald Trump në OKB, Merkel ka paralajmëruar se ekonomia moderne dhe shumëllojshmëria që kanë karakterizuar kohezionin europian ndodhen në rrezik.
Nacionalizmi dhe njëanshmëria po minojnë kohezionin e Europës. Kështu ka deklaruar të enjten kancelarja Angela Merkel, dy ditë pas fjalimit në OKB të presidentit Donald Trump, që refuzoi globalizimin dhe ripromovoi politikën “Amerika e Para”. Pa e përmendur Trump, apo qasjen e tij proteksioniste, Merkel ka thënë përpara konservatorëve në Fondacionin Konrad Adenauer në Berlin, se Bashkimi Europian dhe Gjermania po kalojnë momente kritike.
Trump ka kërcënuar se do të largojë Shtetet e Bashkuara nga Organizata Botërore e Tregtisë, një lëvizje kjo që do të trondiste themelet e ekonomisë moderne, për ngritjen e të cilës Uashingtoni luajti rolin kryesor. Gjithashtu, miliarderi i kthyer në president ka vënë disa herë në dyshim rëndësinë e NATO-s, organizata e bashkëpunimit ushtarak që funksionon prej thuajse 7 dekadash.
“Ndoshta zhvillimi më shqetësues për mua është se shumëllojshmëria ndodhet nën një presion të fortë dhe Europa po përballet me sulme të brendshme dhe të jashtme”, ka thënë Merkel. Kancelarja, që është rritur në Gjermaninë Lindore të Luftës së Ftohtë, ka nënvizuar se kurrë nuk e kishte menduar që një ditë bota do të përballej me një përplasje ideologjish.
“Nuk e prisja se do të kishim konflikte mes sistemeve të ndryshme, sikurse kemi sot me Kinën, por edhe me Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Merkel. Sipas saj, ndryshimet në rrafshin politik dhe në rendin botëror po e bëjnë të domosdoshme rikthimin tek vlerat si toleranca dhe tek arti i kompromisit politik. “Është momenti i vendimeve të rëndësishme dhe një rezultat pozitiv gjithëpërfshirës është i vështirë të arrihet kur dikush kërkon t’i zgjidhë problemet me mentalitetin e njëanshmërisë”, ka shtuar Merkel. /abcnews.al