Bushati në OKB: Diversiteti, pasuri e madhe e shoqërisë tonë

schedule16:09 - 27 Shtator, 2018

schedule 16:09 - 27 Shtator, 2018

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, mori pjesë në takimin e nivelit të lartë “Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut: Një mjet parandalues në arritjen e paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, i cili u mbajt në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në fjalën e tij ministri Bushati ka nënvizuar se Ministri Bushati në OKB: Diversiteti është pjesë integrale dhe pasuri e madhe e shoqërisë shqiptare.

Shqipëria është e angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore. Me këto fjalë i është drejtuar ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme  ministrave pjesëmarrës në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Ne kemi integruar të drejtat e njeriut në veprimtarinë diplomatike dhe politike në rajonin tonë, në Evropën Juglindore, në kontekstin e agjendës sonë evropiane për reforma, si dhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare. Diversiteti është një pjesë integrale dhe një pasuri e madhe e shoqërisë sonë”.

Shqipëria ka marrë iniciativën për zbatimin e  Objektivit 16 të Agjendës së OKB-së për Zhvillim të Qëndrueshëm 2030, lidhur me qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit dhe institucione të forta demokratike.

“Ne e kemi bërë prioritet përfaqësimin gjinor dhe buxhetimin dhe kjo na bën një vend shembull për barazinë gjinore në rajon dhe më gjerë”. 

Takimi i nivelit të lartë “Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut: Një mjet parandalues në arritjen e paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm” u zhvillua në nivel ministrash dhe këtë vit përkonte me 70-vjetorin e Deklaratës.

Ndërkaq, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Ministri Bushati zhvilloi disa takime bilaterale. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!