Pasi drejtori i Qendrës Kineze për Kontrollin e Sëmundjeve Gao Fu pranoi se vaksina e Sinovac ka efektivitet të ulët autoritetet shqiptare shprehen se synimi kryesor I vaksinimit është shmangia e vdekjeve dhe rasteve të rënda dhe kjo e mundëson.
Në Shqipëri do të vazhdojë të respektohet protokolli dhe vaksina kineze do të kryhet me dy doza një muaj larg njëra tjetrës. Mundësia për të injektuar një dozë të tretë sipas Përgjegjëses së Programit Kombëtar të Vaksinimit Erida Nelaj do të vlerësohet në një moment të dytë.
Ndërkohë autoritetet shqiptare do të vijojnë të aplikojnë AstraZenecën tek kategoritë e përcaktuara pavarësisht skepticizmit të shfaqur në disa vende. Efektet anësore që kanë shfaqur të vaksinuarit me AstraZeneca në vendin tonë sipas Nelajt kanë qenë të pritshme ndërsa tek ata që kanë marrë Sinovac-un të pakta.
Numri i vaksinimeve në vendin tonë ka arritur në rreth 260 mijë ku rreth 185 mijë janë të moshuar të cilët kanë marrë dozën e parë. / Abcnews.al