Kristiano Ronaldo sërish nuk e arriti objektivin e tij personal tek Juventusi. Portugezi mbeti pa gol, ndërsa parashikimet janë që nuk do të mbërrijë dot në nivelin që kishte tek Realit.
Nuk mundi të shënonte, edhe pse u përpoq aq shumë. Kristiano Ronaldo po kalon një fillim të vështirë të sezonit në Itali, me vetëm 3 gola në 7 takime, një mesatare tepër e ulët për standardet e tij. Juventusi fitoi në Torino ndaj Bolonjës, madje me shifrat 2-0, por asnjëri nga shënuesit nuk ishte CR7-ta. Fillimisht, Paulo Dibala dhe pastaj Blez Matyidi, realizuan shpejt e shpejt në nisje të pjesës së parë, dhe të paktën objektivi kryesor, fitorja u arrit.
Po objektivat e Ronaldos për t’u shpallur shënuesi më i mirë dhe Këpuca e Artë e Europës? Nuk dihet nëse Juvja mund t’ia mundësojë këtë, siç i mundësoi një rrogë më të lartë sesa Reali, me plot 31 milionë euro në sezon. Në momentin e golit të dytë, portugezi e shprehu hapur pakënaqësinë që nuk u shërbye me top gjatë një kundërsulmi, ndonëse e ndoqi aksionin deri në fund, duke dhënë pasimin e golit të Matyidisë. Për momentin, Kristiano ka mesataren një gol në dy ndeshje në Serinë A, ndërsa në Champions u përjashtua me të kuqe ndaj Valencias, pa arritur të realizonte.
Parashikimet nuk janë të këqija për të, por jo për të arritur nivelin e Realit. Agjencia e specializuar, OLOCIP, bën një analizë sipas së cilës, portugezi do të arrijë 0.8 gola për ndeshje, diçka mjaft e mirë, por ndjeshëm më poshtë sesa në Madrid, ku gjatë 9 viteve karrierë, shënoi 450 gola në 438 takime të luajtura./abcnews.al