Facebook ka lejuar vazhdimisht udhëheqësit dhe politikanët botërorë të përdorin platformën për të mashtruar publikun ose për të kërcënuar kundërshtarët, pavarësisht se janë paralajmëruar disa herë.
The Guardian ka zbuluar një dokumentacion që tregon se si Facebook trajtoi më shumë se 30 raste të manipulimit politik që u zbuluan nga stafi i kompanisë në 25 vende.
Hetimi tregon se si Facebook ka lejuar abuzime të mëdha në vendet e varfra, të vogla dhe jo-perëndimore, duke i dhënë përparësi adresimit të abuzimeve në SHBA dhe vendet e tjera të pasura. Kompania ka marrë masa të menjëhershme për të adresuar manipulimin politik që ka prekur vende të tilla si SHBA, Tajvan, Koreja e Jugut dhe Polonia, ndërsa nuk ka marrë masat e nevojshme ne Afganistan, Irak, Mongoli, Meksikë dhe në pjesën më të madhe të Amerikës Latine.
Facebook u zotua se do të luftojë manipulimet nga ana e politikës të mbështetur nga shteti pas fiaskos historike të zgjedhjeve amerikane në 2016, kur agjentët rusë përdorën llogari jo-autentike të Facebook për të mashtruar dhe përçarë votuesit amerikanë.
Por kompania ka dështuar në mënyrë të vazhdueshme për të ndërmarrë veprime të menjëhershme pas provave për manipulim dhe abuzim nga udhëheqësit politikë në të gjithë botën.
Facebook pushoi nga puna Zhang për shkak të perfomancës së saj të dobët në Shtator 2020.
Në ditën e saj të fundit, ajo publikoi një mesazh me 7,800 fjalë duke përshkruar se si qeveritë e huaja ishin përpjekur të abuzonin me platformën e Facebook për të mashtruar qytetarët.
Zhang shpreson se mesazhi i saj do të detyrojë Facebook të marrë masat e duhura edhe në pjesën tjetër të botës.
Me 2.8 miliardë përdorues, Facebook luan një rol dominant në diskursin politik të pothuajse çdo vendi në botë. Por algoritmet dhe tiparet e platformës mund të manipulohen për të shtrembëruar debatet politike.
Një mënyrë për ta bërë këtë është duke përdorur llogari jo-autentike në Facebook. Lajmet e rreme mund të ndikojmë në algoritmin e lajmeve të rëndësishme gjithashtu.
Zhang u punësua nga Facebook në janar 2018 për të çrrënjosur informacionet e rreme. Ajo zbuloi se pjesa dërrmuese e informacioneve të rreme ishte në postime nga individë, biznese ose marka, por që po përdorej gjithashtu në ato që Facebook i quajti synime “civile” – pra politike, raporton abcnews.al
Shembulli më flagrant ishte Juan Orlando Hernandez, presidenti i Hondurasit. Në gusht 2018, një nga administratorët e Faqes zyrtare të Hernandez në Facebook po administronte qindra faqe që ishin të rreme. Punonjësi përdori faqet e rreme për të rritur numrin e “likeve” në postimet e Hernandez.
Kjo metodë, të cilën Zhang e quan “abuzim i faqes”, u bë i mundur falë një boshllëku në politikat e Facebook.
Kompania kërkon që llogaritë e përdoruesve të jenë autentike dhe i ndalon përdoruesit të kenë më shumë se një. Ky boshllëk ka mbetur i hapur për shkak të mungesës së zbatimit dhe duket se aktualisht po përdoret nga partia në pushtet e Azerbajxhanit për të lënë miliona komente ofenduese në faqet e mediave të pavarura të lajmeve dhe politikanëve të opozitës të Azerjbarxhanit.
Abuzimi i faqeve ka të bëjë me veprimin e Agjencisë Ruse gjatë zgjedhjeve në SHBA 2016, kur hapi llogari në Facebook që pretendonin se përfaqësonin amerikanët dhe i përdorte ato për të manipuluar individë dhe për të ndikuar në debatet politike.
Facebook e quajti këtë ” sjellje të koordinuar jo-autentike ” (CIB) dhe caktoi një ekip elitar të hetuesve, për ta zbuluar dhe fshirë ato.
Por CIB- dhe menaxherë dhe drejtues të shumtë të Facebook – nuk hetuan rreth abuzimit të Hondurasit dhe Azerbajxhanit, pavarësisht provave që rastet lidheshin me qeverinë.
Rastet ishin veçanërisht shqetësuese për shkak të natyrës së liderëve politikë të përfshirë. Hernandez u rizgjodh në 2017 në një garë që është cilësuar gjerësisht e manipuluar. Administrata e tij është akuzuar për korrupsion dhe shkelje të të drejtave të njeriut. Azerbajxhani është një vend autoritar pa liri të shtypit ose zgjedhje të lira.
Facebook-ut iu desh gati një vit për të shkatërruar rrjetin e Hondurasit dhe 14 muaj për të fshirë fushatën e Azerbajxhanit . Në të dy rastet, Facebook më pas lejoi që abuzimi të rikthehej përsëri.
Facebook thotë se përdor metoda manuale dhe të automatizuara të zbulimit për të monitoruar rastet e mëparshme dhe se “në mënyrë të vazhdueshme” fshin llogaritë dhe faqet e rreme, raporton abcnews.al
Vonesat ishin në pjesën më të madhe rezultat i sistemit të Facebook për mbrojtjen e ligjërimit politik dhe zgjedhjeve.
Zhang paraqiti dhjetëra prova të abuzimit brenda sistemit të menaxhimit të Facebook duke njoftuar ekipin e CIB se llogaritë ose faqet e rreme po shtrembërojnë diskursin politik, përfshirë në Shqipëri, Meksikë, Argjentinë, Itali, Filipine, Afganistan, Kore të Jugut, Bolivi, Ekuador , Irak, Tunizi, Turqi, Tajvan, Paraguai, El Salvador, Indi, Republika Dominikane, Indonezi, Ukrainë, Poloni dhe Mongoli.
Në disa prej rasteve që Zhang zbuloi, duke përfshirë ato në Korenë e Jugut, Tajvan, Ukrainë, Itali dhe Poloni, Facebook ndërmori masa të menjëhershme.
Në disa raste të tjera, Facebook u vonua në marrjen e masave për muaj. Kur Zhang zbuloi një rrjet të llogarive të rreme rreth politikanëve në Filipine në tetor 2019, Facebook nuk mori masa.
Por kur një nëngrup i këtij rrjeti filloi të krijonte faqe të rreme dhe të shpërndante informacione të rreme nga Faqja e Donald Trump në Shkurt 2020, kompania i fshiu menjëherë.
Në disa raste, Facebook nuk ndërmori asnjë veprim.
Një hetues i CIB gjeti prova se një rrjet shqiptar, i cili kishte krijuar faqe të rreme, ishte i lidhur drejtpërdrejtë me disa individë në qeveri, por më pas hoqi dorë nga çështja.
Një rrjet bolivian i llogarive të rreme që mbështesin një kandidat presidencial në prag të zgjedhjeve të përgjithshme në tetor 2019 nuk u mor parasysh; që nga dita e fundit e punës së Zhang në shtator 2020, rrjeti vazhdonte të funksiononte.
Rrjetet në Tunizi dhe Mongoli gjithashtu nuk u hetuan, pavarësisht zgjedhjeve në Tunizi dhe një krize kushtetuese në Mongoli. Mes protestave masive dhe një krize politike në Irak në vitin 2019, specialisti i Facebook për Irakun kërkoi që dy rrjetet e zbuluara nga Zhang të kishin përparësi nga CIB.
Një hetues ra dakord që llogaritë të hiqeshin, por askush nuk mori masat, dhe në ditën e fundit të punës të Zhang, ajo zbuloi afërsisht 1,700 llogari të rreme që vazhdonin të vepronin në mbështetje të një personaliteti politik në vend.
Në fund të fundit, Zhang argumenton se Facebook ngurron për të ndëshkuar politikanë të fuqishëm dhe në momentin që vendos të veprojë, pasojat nuk janë të rënda./abcnews.al