Rodrigo Bentancur beson akoma te titulli, edhe pse Interi kryeson me 12 pikë më shumë kur kanë mbetur për t’u luajtur edhe 8 javë në Serie A. Juventusi mposhti 3-1 Genoan, duke siguruar fitoren e dytë radhazi në pak ditë.
Mesfushori i bardhezinjve, Rodrigo Bentancur foli për Sky Sport në lidhje me triumfin e ditës së djeshme në kampionat, duke u ndalur edhe te Cristiano Ronaldo, i cili u shfaq nervoz për mungesën e golit.
“Në pjesën e parë luajtëm shumë mirë, skuadra kishte mentalitetin e duhur. Jemi përmirësuar shumë, por ky proçes duhet të vazhdojë, sepse ramë në pjesën e dytë. Ia lejuam Genoas qarkullimin e topit dhe pësuam gol.
E kemi të qartë që nuk mjafton një pjesë e parë shumë e mirë, duhet të luajmë gjatë gjithë ndeshjes. Pirlo nuk u ankua për këtë gjë, por do e bëjë të martën në analizë, kjo është e sigurt.
Titulli? Edhe pse jemi larg, matematika na mban në lojë. Duhet të fitojmë çdo ndeshje, të japim maksimumin deri në fund të sezonit. CR7? Ky është mentaliteti i tij, një cilësi që e ka bërë futbollistin që është.
Cris ndihet keq kur nuk ia del të shënojë gol, tërbohet. Ai nuk e ka me skuadrën por me veten e tij, pasi dëshiron të shënojë në çdo takim. Jemi të lumtur me të, uroj të gjejë golin ndeshjen e radhës“, deklaroi Bentancur. /abcnews.al