Një përplasje deklaratash është regjistruar mes delegacionit të Kosovës dhe Marokut. Kryeministri i vendit afrikan ka përgënjeshtruar deklaratën e ministrit të jashtëm Pacolli pas një takimi mes tyre, se Maroku dhe Kosova do të vendosin mardhëniet diplomatike.
Ministri i jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues nga vende të ndryshme të botës gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Shefi i diplomacisë, siç dhe njofton vetë me anë të publikimeve në profilin e tij në Twitter, ka diskutuar gjerësisht për zhvillimin e mardhënieve dypalëshe dhe ka lobuar për njohjen e Kosovës. Por duket se Pacolli ka hasur në një problem shumë serioz, lidhur me takimin me përfaqësuesit e Marokut.
Kryeministri i këtij vendi ka reaguar me tone të ashpëra në Tuiter pas njoftimeve të Ministrit të Jashtëm të Kosovës, se ka pasur me të biseda për vendosjen e mardhënieve diplomatike. “Gjatë pushimit me delegacionin tim një zotëri nga Kosova na u imponua me prezencën e tij. Ne nuk kemi diskutuar marrëdhëniet bilaterale as vazhdimin e kontakteve”, ka shkruar kryeministri i Marokut Saadeddine Othmani në Twitter.
“Qëndrimi i Marokut mbetet i njëjtë. Maroku nuk e njeh Kosovën dhe nuk ka asnjë mardhënie me të”, shton ai. Ndërkohë Pacolli përtej këtij incidenti, ka treguar me imazhe disa nga takimet e tij, ky bien në sy vende jo shumë të njohura për ndikim në botë. Ndër të tjera, ministri i jashtëm kosovar ka zhvilluar biseda edhe me liderë të vendeve të BE-së si dhe është përshëndetur nga presidenti amerikan Donald Trump./abcnews.al