Ish-presidenti katalonjas Puigdemont dhe katër ish-ministrat e tij janë lënë të lirë pasi kanë paguar garancinë, ndërsa gjykatësi ka 24 orë kohë për të vendosur se çfarë do të ndodhë me ata.
Puigdemont dhe katër ministrat e qeverisë katalonjase të shkarkuar nga Madridi u vetëdorëzuan në policinë federale belge, por gjykatësi refuzoi të ekzekutojë mandatin europian të arrestit. Zëdhënësi i prokurorisë së Brukselit konfirmoi lajmin për mediat duke shtuar se tashmë gjykatësi ka 24 orë kohë për të vendosur nëse të pestë do të shkojnë në qeli apo jo.
Në prani të avokatëve të tyre Puigdemont dhe ministrave të tij iu është komunikuar dhe mandati i arrestit të lëshuar nga autoritetet spanjolle për ta. Ndërkohë që prokuroria belge ka nisur hetimet për akuzat ndaj tyre të pestë janë lënë të lirë pasi kanë paguar garancinë.
Para se të paraqiten tek gjykatësi personat e shpallur në kërkim duhet të burgosen, ka shpjeguar zëdhënësi i prkurorisë belge për Europa Press.
Nga momenti kur do të arrestohen atëherë do të dalin para gjykatësit konfirmoi prokuria duke shtuar se janë në kontakt të vazhdueshëm me avokatët e Puigdemont dhe katër të akuzuarve. Nëse gjykatësi do të vendosë për arrestimin atëherë çështja do të kalojë në Gjykatën e Shkallës së Parë, e cila duhet të vendosë brenda 15 ditësh.
Vendimet më pas do të shkojnë në Gjykatën e Apelit nëse palët e përfshira do ti kundërshtojnë, dhe kjo e fundit do të ketë gjithashtu 15 ditë kohë për të marrë vendim. Teorikisht dhe pas arrestimit, procedura do të zgjasë 60 deri në 90 ditë./abcnews.al