Arsenali po zhvillon një sezon zhgënjyes në Premier League, aty ku mban vendin e dhjetë me 42 pikë, nëntë më pak se zona Champions League.
Gjithsesi, kualifikimi në turneun më të rëndësishëm për klube mund të vijë edhe nga Europa League, aty ku “Topçinjtë” ndodhen në çerekfinale.
Ekipi i Mikel Artetës luan nesër në mbrëmje (21:00) përballë Slavia Prague në Londër, takim rreth të cilit flet për mediat trajneri spanjoll.
“Ne duam të kualifikohemi në gjysmëfinale, kështu që e dimë rëndësinë. Në këtë turne nuk lejohen gabimet, përndryshe e sheh veten të eliminuar.
Champions League? Duhet të luftojmë për vendin e katërt, përderisa matematika na e lejon. Sigurisht që duhet të jemi realistë, është e vështirë duke parë pozicionin ku ndodhemi në renditje.
Matematika na jep shpresa, kështu që duhet të provojmë shansin tonë. Aubameyang? Ne do të bazohemi te çdo lojtar i kontingjentit tonë.
Nga të gjithë presim të japin maksimumin dhe të zbresin në fushë e të luajnë një futboll të nivelit të lartë, ashtu siç kërkon historia e klubit“, deklaroi Arteta. /abcnews.al