Marrëveshja e Iranit, nënshkruesit tentojnë të anashkalojnë sanksionet e SHBA

schedule22:51 - 25 Shtator, 2018

schedule 22:51 - 25 Shtator, 2018

Vendet e mbetura të marrëveshjes bërthamore me Iranin po tentojnë të gjejnë një mënyrë për të anashkaluar sanksionet Amerikane dhe të vendosin përsëri lidhjet e biznesit ndërmjet tyre. Kjo është bërë e ditur nga përfaqësuesja e lartë e BE-së Federica Mogherini.

Anëtarët e mbetur në marrëveshjen bërthamore të Iranit thonë se ata do të ngrenë një sistem të ri pagesash për të ruajtur biznesin me Iranin dhe për të anashkaluar sanksionet e Shteteve të Bashkuara. Sistemi do të lehtësonte kompanitë e naftës dhe bizneset për të vazhduar tregtinë, pa u mbështetur në tregun global të drejtuar nga SHBA. Saktësisht se si do të funksiononte sistemi ende është duke u përcaktuar.
Më parë këtë vit, Presidenti Donald Trump nxorri SHBA nga marrëveshja bërthamore e 2015-s me Iranin dhe rivendosi përsëri sanksionet. Plani gjithëpërfshirës i përbashkët i veprimit, siç njihet zyrtarisht marrëveshja bërthamore, u negociua gjatë presidencës amerikane të Barak Obamës. Akordi detyronte Iranin të kufizonte aktivitetet e saj bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve. Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini njoftoi planin pas bisedimeve në OKB me anëtarët e mbetur të marrëveshjes – Britania, Kina, Franca, Gjermania, Rusia.

Në një deklaratë, këto vende theksojnë se janë të përkushtuar “në mbrojtjen e lirisë së operatorëve të tyre ekonomikë për të zhvilluar të drejtën legjitime të të bërit biznes me Iranin”. Mogherini tha se ekspertët teknikë do të diskutojnë për detajet e mekanizmit të ri të pagesave. Analistët hedhin dyshime nëse një mekanizëm i tillë do të jetë i dobishëm duke marrë parasysh që SHBA-të mund të modifikojnë sanksionet e tyre në mënyrë që të goditet çdo sistem i ri. Kreu i Shtëpisë së Bardhë tërhoqi SHBA-të nga ajo që ai e konsideron si “marrëveshje të njëanshme, dhe akordin më të keq që Uashingtoni ka firmosur ndonjëherë”. Trump beson se rivendosja e presionit ekonomik do të detyrojë Iranin të dakordohet për një marrëveshje të re. valuta e Iranit është dëmtuar rëndë nga politikat e reja Amerikane./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!