Nga LINDA KARADAKU
Cërrnusha e Mitrovices dhe portet shqiptare të Adriatikut, pavarësisht nga distanca gjeografike, kanë shumë të përbashkëta, mbi të gjitha rëndësinë strategjike. Janë pjesë e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës dhe kanë një rëndësi të jashtëzakonshme nga pikëpamja ushtarake. Pakkush mund të ketë dëgjuar për një kodër dhe një fshat të quajtur Cërrnushë në Mitrovicë, ku pritet të ndërtohet kazerma më e madhe e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Por këto 191 hektarë tokë për ndërtimin e kazermës më të madhe të FSK-së kanë një rëndësi të madhe strategjike. Është një prej kodrave më të larta në Mitrovicë, e cila ka pamje mbi 4 komuna dhe dhjetëra fshatra në këtë rajon.
Nënkryetari i komunës Faruk Ujka ka thënë se Kodra e Cërrnushës është pikë strategjike jo vetëm për Mitrovicën por për gjithë Kosovën dhe do t’i jepet për shfrytëzim FSK-së për 99 vjet. Por kjo zonë nuk është e panjohur për rëndësinë e saj strategjike. Gjatë luftës së vitit 1999 është përdorur edhe nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ish-komandanti i Bataljonit të Parë në Brigadën 143 në Zonën Operative të Shalës, Hajzer Istrefi, ka konfirmuar se kjo pikë strategjike është shfrytëzuar nga njësitet e UÇK-së për vrojtim dhe mbikëqyrje të forcave serbe. Kodra e Cërrnushës ka një lartësi mbidetare pre 1,116 metrash dhe është një nga më të lartat në Mitrovicë. Zëvendësministri I mbrojtjes Enver Dugolli ka deklaruar se ky është projekti më i madh kapital i miratuar për FSK-në dhe baza më e madhe dhe më moderne ushtarake në tërë Kosovën, me një vlerë prej qindra milionë euro. Baza do të mbajë emrin “Isa Boletini” .
Kodra e Cërrnushës ka fushëpamje të plotë të qytetit të Vushtrrisë, qytetit të Mitrovicës, Mitrovicës së Veriut, Zveçanit dhe një pjese të Zubin Potokut. Vendosja e një baze të tillë pikërisht në këtë zonë është më shumë se e rëndësishme dhe shkon parallel me armatimin dhe pajisjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Në korrik të vitit të kaluar, në Kosovë arriti edhe një kontingjent me automjete të blinduara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për FSK-në. Arritja e këtij kontingjenti kishte të bënte me një kontratë që kishte nënshkruar Kosova me SHBA-në vitin e kaluar. Blerja e automjeteve të blinduara ishte bërë me buxhetin e Kosovës. Kosova i ka të gjitha kontratat ushtarake me SHBA-të edhe për sistemin e armatimit. Kosova ka marrë si donacion 27 automjete ushtarake Hamvi nga SHBA-ja, ndërkohë që kishte blerë më parë edhe 24 automjete të tilla. ndërtim infrastrukturës edhe në vitet 2020 dhe 2021. Ministria e mbrojtjes kishte parashikuar të pajisej gjithashtu në periudhën 2020-2021 me armatim “M93 Hornet”, gjithashtu armatim amerikan.
Poshtë në Adriatik, zhvillimet janë edhe më interesante dhe Kosova është pjesë e tyre. Shqipëria mikpret një nga stërvitjet më të mëdha me trupa të ushtrisë amerikane të quajtur “Defender Europe 2021, në të cilën marrin pjesë forca nga Shqipëria, Turqia, SHBA-ja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Greqia, Kanadaja, Britania e Madhe, Çekia, Hungaria, Rumania, Bullgaria, Gjeorgjia dhe vende të tjera.
Stërvitja me trupa të ushtrisë amerikane “Defender Europe /21, që nga viti 1995, konsiderohet si një nga më të mëdhatë në Europë. Stërvitja drejtohet nga Komanda e Ushtrisë Amerikane në Evropë dhe do të zhvillohet nga 1 maj deri më14 qershor të këtij viti duke u shtrirë në disa vende të Ballkanit dhe të Detit të Zi. Në të do të marrin pjesë mbi 17 mijë trupa amerikane dhe 14 mijë të tjera nga 26 vende anëtare të NATO-s, që do të vënë në dispozicion të stërvitjes edhe mjete ushtarake, 4 mijë ushtarë amerikanë do të vendosen në Shqipëri dhe pjesa tjetër në vendet fqinje.
Ushtaraku i lartë amerikan, Gjeneral Majori Joseph Jarrard, Zëvendëskomandant i Ushtrisë amerikane së SHBA në Evropë, u takua në Tiranë me autoritetet më të larta të vendit dhe mori pjesë në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Sigurisë, të thirrur nga kryetari i këtij Këshilli, presidenti, Ilir Meta.
ZV/KOMANDANTI I TRUPAVE AMERIKANE NË EUROPË, GJENERAL MAJOR JOSEPH JARRARD: “Presim që Shqipëria të ketë një rol të rëndësishëm në këtë stërvitje madhore ushtarake. Ajo do të jetë një vend kryesor pritës për veprimtaritë e shumta ushtarake dhe kjo përforcon rëndësinë strategjike të gjeografisë së Shqipërisë në rajon”.
Ai theksoi se stërvitja do të shërbejë “për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprimin ushtarak të SHBA me ushtarë shqiptarë, në tokën shqiptare”.
Ndërsa presidenti Meta e cilësoi NATO-n dhe partneritetin strategjik me SHBA shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe Ballkanin.
PRESIDENTI ILIR META: “Kjo stërvitje do të ketë rëndësi dhe ndikim në rritjen e aftësisë ndërvepruese mes strukturave ushtarake të vendeve të ndryshme aleate dhe forcimin e paqes, stabilitetit e sigurisë në rajon e më gjerë”.
Ndërsa ministri i mbrotjes Niko Peleshi tha pas takimit me Gjeneral Major Joseph Jarrard se gjatë stërvitjes “do të respektohen protokollet më të mira shëndetësore dhe të gjitha rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për parandalimin dhe përhapjen e virusit “COVID 19”.
Por zhvillimi i një stërvitje të tillë në territorin shqiptar kërkon miratimin nga kuvendi. Dhe kuvendi i Shqipërisë e miratoi me 98 vota pro, 6 kundër dhe 1 abstenim projektligjin për “zhvillimin dhe pjesëmarrjen e forcave të vendeve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe të vendeve partnere të kësaj organizate në stërvitjen e përbashkët «Defender Europe 2021”. Kështu lejohet me ligj hyrja në territorin e Republikës së Shqipërisë të 31000 trupave ushtarake nga disa vende pjesëmarrëse në stërvitje.
NIKO PELESHI: “Kryefjala jonë për këtë stërvitje do të jetë gatishmëri, ndërveprueshmëri dhe operacionalitet me forcat aleate siç bëjmë prej dekadash tashmë në operacionet dhe misionet e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara”.
Forcat ushtarake të Republikës së Shqipërisë marrin pjesë me rreth 1.000 mijë trupa në komponentë të ndryshëm të stërvitjes. Stërvitja “Defender Europe 2021” zhvillohet në periudhën 26 prill-20 qershor 2021 në territorin e Shqipërisë dhe në këtë stërvitje angazhohen 31000 trupa nga vendet anëtare të NATO-s dhe vende të tjera aleate, 10 anije, 18 avionë, 19 helikopterë, 6 sisteme raketash “Patriot” dhe 1.000 automjete joluftarake. Stërvitja do të shtrihet edhe në disa vende të rajonit. Gjatë hyrjes, qëndrimit dhe daljes nga territori i Shqipërisë, trupat e vendeve aleate shoqërohen nga njësi të armatosura të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Ndërkohë, mediat greke raportuan se në kuadër të stërvitjes “Defender Europe 2021”, Departamenti amerikan i Mbrojtjes është duke përqendruar mjete ushtarake në Trakinë Perëndimore, rreth 50 km nga kufiri me Turqinë. Mbi 150 helikopterë dhe shumë mjete të tjera ushtarake transportohen me anë të anijes “Endurance” në portin e Aleksandopolit, nga ku shpërndahen me rrugë tokësore në 14 shtetet që janë pjesë e stërvitjes. Etapa greke e stërvitjes “Defender Europe 2021” do të zhvillohet në maj.
Kjo stërvitje ushtarake, e cila përfshin gjithashtu Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Bullgarinë, Kroacinë, Estoninë, Gjermaninë, Hungarinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Poloninë, Rumaninë dhe Slloveninë, do të vazhdojë deri në muajin gusht. “Defender Europe 2021” do të jetë një prej stërvitjeve më gjithëpërfshirëse në rajon që prej Luftës së Ftohtë. Stërvitja ushtarake në fjalë, e cila do të realizohet me pjesëmarrjen e rreth 31.000 trupave, shihet si pjesë e planit të përbashkët të mbrojtjes që do të sigurojë siguri në Ballkanin Perëndimor dhe Detin e Zi, rajone të cilat mendohet të jenë nën kërcënimin rus.
“Defender 21” shërben jo vetëm si një platformë për të testuar kapacitetet operacionale të forcave të armatosura shqiptare dhe integrimin me forcat e tjera shumëkombëshe, por promovon gjithashtu infrastrukturën kritike të Shqipërisë për mbështetjen e stërvitjeve të mëdha në kuadër të Aleancës. Rëndësi të veçantë ka identifikimi dhe përfshirja e Portit të Durrësit dhe Bazës Ajrore të Kuçovës si infrastrukturë strategjike për dislokimin e trupave. Defender Europe 2021 do të përfshijë “operacione gati të njëkohshme në më shumë se 30 zona trajnimi” në një dyzinë vendesh. Bëhet fjalë për vendosjen e një force të përmasave të divizionit nga Shtetet e Bashkuara në Evropë, duke tërhequr pajisje nga rezervat e paravendosura të ushtrisë, pastaj duke lëvizur personelin dhe pajisjet në zona të shumta trajnimi. Ushtrimi i këtij viti me një gamë më të gjerë do të përfshijë përfshijë Ballkanin dhe rajonin e Detit të Zi dhe do të përdorë rrugët kyçe tokësore dhe detare që kalojnë Evropën, Azinë dhe Afrikën, sipas një deklarate të Ushtrisë Amerikane për Evropën dhe Afrikën.
Defender Europe 21 vepron si një operacion gjithëpërfshirës, përfshin operacione ajrore në Estoni, Bullgari dhe Rumani me më shumë se 7,000 trupa nga 11 vende.
Ndërkohë, vendi fqinjë dhe problematik i Kosovës, Serbia, vazhdon të luajë lojën me shumë porta, SHBA, Rusi dhe Kinë. Një kontingjent i Beretave të Gjelbra ishte në në Serbi, ku komandantët ushtarakë të SHBA po kërkojnë të forcojnë lidhjet ndërkohë që Beogradi thellon lidhjet e tij me rivalët Kinë dhe Rusi. Ekipi i Forcave Speciale, i vendosur nga Stuttgart, do të qëndronte në Serbi për një muaj, për tu stërvitur së bashku me njësitë elite serbe të antiterrorizmit. Trupat amerikane janë përqendruar në aftësimin e serbëve për tu marrë me kërcënimet që përfshijnë përpjekje të mundshme nga militantët islamikë për të kaluar tranzit nga Lindja e Mesme në Evropë, përmes Serbisë.
Por ndërkohë që Beretat e Gjelbra dhe forcat serbe qëndronin në formacion në një vend stërvitje afër Beogradit, ishte pikërisht Serbia ajo që vitin e kaluar u bë vendi i parë në Evropë që mori pajisje ushtarake kineze të aviacionit – dronë luftarakë CH-92A të armatosur me raketa të drejtuara me lazer. “Eksporti i dronëve nga Pekini motivohet nga dëshira për të depërtuar në tregun evropian të mbrojtjes dhe për të promovuar Kinën si një fuqi në rritje”, shkruante eksperti i sigurisë Vuk Vuksanovic, një analist për institutin mbretëror të London United Services Services.
Beogradi ka mbajtur gjithashtu tradicionalisht lidhje të ngushta me Moskën, e cila i ka dhuruar Serbisë avionët e saj të përdorur luftarakë MiG-29 dhe i ka shitur sistemin e mbrojtjes ajrore me rreze të shkurtër Pantsir S1. Kina gjithashtu ka investuar shumë në Serbi, duke hedhur para në projekte hekurudhore dhe energjetike dhe duke ofruar vaksina të koronavirusit për të ndihmuar Beogradin të luftojë pandeminë.
Vuçiç e ka përshkruar vendin e tij si “miku më i rëndësishëm dhe më i afërt” i Kinës në Evropë dhe e ka quajtur Presidentin Xi Jinping “vëllain e tij”.
Në shenjë të thellimit të bashkëpunimit, në 2021 Serbia gjithashtu u bë konsumatori i parë evropian për sistemin e ri të mbrojtjes ajrore të Kinës FK-3 – përshkruar si afërsisht ekuivalent me sistemin e raketave Patriot të SHBA
Por NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara kanë konsoliduar dhe vazhdojnë të konsolidojnë marrëdhëniet me vendet tradicionalisht miq me ta. Në një qytet që dikur quhej qyteti Stalin, NATO po modernizon bazën ajrore të Kuçovës, duke shpenzuar 50 milion € (56 milion dollarë) për të rindërtuar bazën gjashtë dekadëshe. Ndërsa Perëndimi shpesh ka luftuar për të kundërshtuar ndërhyrjet politike të Rusisë dhe angazhimet e huaja ushtarake, NATO ka tejkaluar Rusinë në Ballkanin perëndimor në vitet e fundit. Shqipëria u bashkua me aleancën ushtarake në 2009 dhe fqinji i saj verior Mali i Zi u pranua në 2017 pas një përpjekje për grusht shteti të sponsorizuar nga Rusia. Maqedonia e Veriut, në lindje të Shqipërisë, është bërë më në fund gjithashtu anëtare e NATO-s.
Aleanca po luan një rol të jashtëzakonshëm në Ballkan, ku anëtarësimi në NATO, së bashku me investimet evropiane dhe tregtinë, kanë thelluar lidhjet me Perëndimin dhe kanë dhënë më shumë siguri për popujt e rajonit./Abcnews.al