Kanadezët paralajmërohen për valën e tretë të koronavirusit

schedule22:21 - 6 Prill, 2021

schedule 22:21 - 6 Prill, 2021

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, tha se vendi i tij po përfshihet nga vala e tretë e koronavirusit.

“Në të gjithë botën, vendet po përballen me një valë të tretë, shumë serioze, të kësaj pandemie. Dhe tani, edhe Kanadaja”, tha Trudeau në një konferencë për media.

Shtrimet në spital po rriten me shpejtësi dhe shtretërit e kujdesit intensiv po mbushen, paralajmëroi ai.

Kanadaja ka pasur mesatarisht 5,200 raste të reja me koronavirus në ditë, gjatë javës së kaluar.

Ontario – provinca më e populluar e këtij vendi – është vendosur nën izolim të pjesshëm gjatë fundjavës, por disa zyrtarë lokalë të shëndetësisë kanë bërë thirrje për kufizime më të forta.

Mbi 23,000 kanadezë kanë humbur jetën nga koronavirusi, ndërsa numri i përgjithshëm i të infektuarve ka kaluar një milion.

Sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins, koronavirusi ka prekur mbi 132 milionë njerëz në të gjithë botën.

Prej tyre, mbi 2.8 milionë kanë vdekur dhe mbi 75 milionë janë shëruar.

Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur në botë, me mbi 30 milionë raste dhe mbi 556,000 viktima.

Por, fushata e vaksinimit atje është duke u zhvilluar me një ritëm më të shpejtë, në krahasim me vendet e tjera./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!