Idrizi “fshikullon” të larguarit: Çamët që u bënë Rilindas të na tregojnë marrëveshjen me Ramën. Kujt i shërbeni?

schedule11:00 - 6 Prill, 2021

schedule 11:00 - 6 Prill, 2021

Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi është ndalur në Fier në vijim të turit elektoral për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, ku ka prezantuar kandidatin për deputet, Nustret Avdullai.

Ai kërkoi votën e qytetarëve për koalicionin PD-Aleanca e Ndryshimit dhe për kandidaturën e Avdullait, për t’i dhënë zë, siç u shpreh, qytetarëve çamë në Kuvendin e Shqipërisë dhe avancimin më tej të çështjes Çame.

“Dëgjoj shumë nga ju që thonë, ça ka bërë PDIU në të gjithë këtë kohë? Ça do të bëni ju në 4 vitet e ardhshme? Unë jam shumë krenar që ne u bëmë një forcë politike e katërta parlamentare pre 12 vitesh. Jam shumë krenar që bashkë me ju, me shumë mund arritëm të miratojmë një rezolutë në Parlamentin e Shqipërisë për çështjen e shqiptarëve të Çamërisë, një rezolutë e detyrueshme për çdo qeveri. Jam shumë krenar që ajo rezolutë sot është miratuar, dhe mos harroni në vitin 2004 kur ne donim rezolutën, u rrahën në dyert e Parlamentit, a thua se po e kërkonim në dyert e Parlamentit grek. Por, edhe për shkak të kujtesës njerëzore, jam krenar që ndërtuam Varrezat Monumentale të Kllogjerit, ku prehen 2900 shqiptarë të Çamërisë, të cilët nga ai eksod biblik arritën në territorin shqiptar, humbën jetën nga sëmundjet, etja dhe uria, por sot kemi një vend prehje për ta. Jemi krenar që arritëm me deputetët tanë në Parlament, të mundësojmë ekzistencën e Bashkisë së Çamërisë, e kam fjalën për Bashkinë e Konispolit. Bëmë gjithçka 10 vite më parë, që Censusi i 2010-ës mos të bëhej shkas për të avancuar fqinjët tanë me axhendën e vorio-epirit. Ishin amendamentet e PDIU, që bëri që kjo gjë të ishte e pamundur. Jam krenar që gjatë gjithë kohës ne si PDIU kemi ndërmarrë nisma ligjore që të ndahemi nga ai regjim, nga regjimi komunist, jo thjesht e vetëm se nuk mund të harrojmë diskriminimin që na bëri ai regjim, por se ky vend ka nevojë të ndahet nga këto nivele sepse parvenytë e tyre na përsëriten prap si autoritaristë me çorape të kuqe dhe me çorape të verdha. Kërkuam hapjen e dosjeve me lustracion sepse Shqipëria ka djem e vajza sa të duash, të shkolluar, juristë brenda e jashtë që janë krijuar në këto 30 vitet e fundit, që do t’i bënin nder çdo sistemi. Por ne vazhdojmë akoma edhe pas 30 viteve të vendosim ish-sigurimsat apo ata që janë shkolluar atëherë, a thua se u shua Shqipëria nga djemtë dhe vajzat akoma në sistemet tona të drejtësisë. Morëm nisma pikërisht për t’u ndarë nga ai regjim dhe këto kanë qnë nisma të ndërmarra nga PDIU. Padyshim që kemi lobuar për ta kombëtarizuar çështjen Çame këtu në Shqipëri, po edhe te ndërkombëtarët, deri të Departamenti Amerikan i Shtetit. Të mos harrojmë përpjekjet tona që për herë të parë diplomacia shqiptare në Bruksel të vendoste prioritetet në raportet e saj me Greqinë ku çështja Çame, heqja e Ligjit të Luftës, çështja e pensioneve, ishin prioritare”, u shpreh Idrizi

Kreu i PDIU kishte një mesazh edhe për të larguarit nga kjo forcë politike. Ai i sfidoi ata që të bëjnë publike marrëveshjen që kanë bërë me Edi Ramën, në interes të çështjes Çame.

“Çdo njeri mund të bëjë zgjedhjet e veta, por të më thotë dikush sot dhe i drejtohem atyre, më tregoni një marrëveshje që keni me Edi Ramën, me njeriun që e shkelmoi çështjen Çame, a keni dy rreshta? Na e thoni, kemi rëndë dakord me Edi Ramën dhe do të bëjmë një, dy, tre, katër, pesë gjëra. Vijnë vërdallë, nuk rrinë as në shtëpinë e tyre, por vijnë këtu në Fier. Çamërinë e përfaqëson PDIU, Çamërinë e përfaqëson Shoqata “Çamëria. Ne nuk mund të pranojmë dot atë që po ndodh edhe për shkak të përkatësisë tonë. Kjo është arsyeja që edhe në programin, marrëveshjen e PDIU me PD dhe Aleancën për Ndryshim, kemi marrëveshje të shkruar, që të avancojmë me çështjen, jo për folklorizëm dhe përdorim si çakmak, por të avancojmë me kujtesën historike, me gjykatat edhe ndërkombëtare për çështjet pronësore. Kjo është arsyeja që unë duhet t’i pyes të gjithë ata që janë bërë një ditë të bukur, se kam nja 20 vjet që i dëgjoj dhe që më rrokanisim kokën, që çamët janë të djathtë, e në fund fare, janë nja 12 që na u bënë Rilindas, edhe mavi, ca edhe në fund të moshës së tyre.

Mund të shkojnë aty nga aftësitë e tyre nga mos dikush di të bëjë këpucë, dikush di të gatuajë, dikush di të bëjë një gjë tjetër, janë të respektuar për atë gjë, por ju lutem mos na thoni që do të shkoni në Parlamentin e Shqipërisë për të mbrojtur çështjen Çame sepse kemi djemtë dhe vajzat që e kanë treguar edhe 4 vjet më parë dhe aty e kishit Parlamentin e Shqipërisë edhe këto 4 vjet. Nuk iu është dëgjuar njëherë zëri. Ikni ku të doni për interesat tuaja, por mos na thoni që këtë po e bëjmë për interesat e komunitetit çam, apo të çështjes çame, se nuk i kam parë dhe as dëgjuar, asnjëherë”, theksoi ndër të tjera Idrizi.

Kreu i PDIU akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama se tradhtoi çështjen Çame, duke e hequr nga tryeza e bisedimeve me Greqinë./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!