Një talent shqiptar nga Kosova shpreson të luajë për Kroacinë. Lirim Kastrati ka luajtur për kombëtaret e moshave të Shqipërisë dhe Kosovës, por pret një ftesë nga nënkampionët e botës.
Është vetëm 19 vjeç, por e gjithë Kroacia po flet për të.
Lirim Kastrati mund të quhet pa frikë zbulimi më i madh i Ligës së parë kroate, veçse ky talent i veçantë nuk besohet se do të veshë fanelën e përfaqësueses së Shqipërisë apo të Kosovës.
Mediat kroate raportojnë se dëshira e tij është tjetër. Gazeta “Jutarnji List” i referohet medias “Sportske Novosti”, një interviste ku Kastrati është shprehur se pret një ftesë nga kombëtarja e Kroacisë.
“Më kanë ftuar edhe Shqipëria, edhe Kosova, kam folur me të dyja federatat, por pres ftesë nga Kroacia, – shprehet sulmuesi, – nuk kam ende pasaportë, por do ta kem për 3 vjet. Kroacia është më e fortë se Shqipëria dhe se Kosova”.
Rasti Kastrati është disi i veçantë, sepse pasi e nisi karrierën në Kosovë, kaloi tek Shkëndija e Tiranës, e quajtur ndryshe ekipi i Shkollës së Mjeshtërisë Sportive. Doli kampion i Shqipërisë në kategorinë U17, në vitin 2016.
Kastrati u aktivizua me kombëtaret shqiptare të moshave deri në U17, ndërsa më pas për Kosovën deri në U21. Verën e kaluar kaloi me sukses provën tek Lokomotiva e Zagrebit, duke u bërë fillimisht pjesë e ekipit të të rinjve, por shpejt talenti i tij ra në sy.
Kaloi në ekipin e të rriturve në fillim të këtij viti duke shkëlqyer, e duke shënuar gola ndaj Dinamos së Zagrebit, ndërsa këtë sezon ka qenë i papërmbajtshëm, duke realizuar kundër Sllaven Belupos apo Rijekës./abcnews.al