TIRANË– Kryekomisioneri i KQZ-së Ilirjan Celibashi u ka bërë thirrje partive politike që të zhvillojnë një fushatë të qetë dhe të lejohen qytetarët që të zgjedhin kë ata dëshirojnë.
Ndërkohë ai ka paralajmëruar partitë politike se rezultati i zgjedhjeve duhet të pranohet ashtu siç do të dalë pas 25 prillit dhe se nuk duhet të krijojnë iluzione mbi rezultatin.
“Dua të theksojmë që qoftë për partitë politike, kandidatët dhe koalicionet. Legjitimiteti i procesit zgjedhor varet shumë nga mënyra se si, prej këtyre faktorëve politik, e institucionale do të ketë qasjen e tij në lidhje me administrimin dhe përgatitjen e procesit zgjedhor.”
“Do e ritheksoj që çdo iluzion i çdo kujt faktori politik apo institucional. Mbi atë se në fund të fundit ne do e kemi një rezultat zgjedhor pavarësisht se si do t’i bëjmë zgjedhjet. Dhe ky rezultat në një mënyrë apo në një tjetër, do të jetë i pranueshëm. Është një iluzion i gabuar. Ndaj sa nuk është vonë gjithkush prej nesh edhe KQZ më së pari kjo thirrje vlen për partitë koalicionet dhe kandidatët por edhe institucionet publike. Çfarë vlen për të korrigjuar duhet ta bëjmë që këto zgjedhje të jenë me të mira dhe në përputhje me të gjitha standardet.”
“Jemi të gjithë të vëzhguar dhe monitoruar dhe në fund të ditës për secilin prej nesh do ketë një gjykim. Dhe përgjegjësit për mos përmbushjen do të ballafaqohet me legjislacionet përkatëse.”
“Një thirrje për tu angazhuar në një fushatë të qetë dhe të ndershme. Të jenë votuesit të lirshëm mbi zgjedhjet dhe preferencat e tyre” ka thënë mes të tjerash Celibashi.
Kujtojmë se mes partive pati pakënaqësi për fletën e votimit, ku ankesat e tyre shkuan në KAS dhe në Kolegjin Zgjedhor.
Ndërkohë menjëherë pas daljes publike për mediat të Celibashit, ka ardhur një reagim edhe nga ambasadorja e SHBA, Yuri Kim. Kjo e fundit ka përshëndetur lajmin e dhënë nga kryekomisioneri Ilirjan Celibashi se fletët e votimit do të jenë të printuara dhe dërguara në kohë pranë KQZ për zgjedhjet e 25 prillit.
“Sapo pashë konferencën për shtyp të Ilirjan Celibashit – shumë mirë të dëgjosh që formati i fletëve të votimit është rënë dakord në mënyrë që ato të shtypen në kohë për zgjedhjet 25 prillit. Ne fuqimisht mbështesim përpjekjet e KQZ për të siguruar që rregullat dhe kushtet e zgjedhjeve të jenë të drejta, në kohë dhe transparente”, shkruan Kim. E.L/abcnews.al/