Milani hodhi një hap të gabuar në ndeshjet e javës së 5-të të Serisë A. Skuadra milaneze nuk shkoi më larg se barazimi 2-2 me Atalantën, edhe pse luajti në “San Siro”.
Emocionet janë më të mëdha se më parë në këtë kampionat. Seria A duket më e bukur se në të kaluarën, por këtë gjë nuk e ndjejnë tifozët e Milanit, shpesh edhe ata të Interit. Skuadra nga Lombardia gaboi përsëri, këtë herë në fushën e saj në stadiumin “San Siro”, duke u ndalur në barazim 2-2 nga Atalanta. Nuk mjaftoi Gonzalo Higuain që shënoi që në minutën e dytë, dhe as Xhakomo Bonaventura që realizoi për avantazhin 2-1.
Atalanta u përgjigj në çdo rast, dhe mori një pikë të merituar duke dalë nga kriza e rezultateve. Autorë të golave për bergamaskët ishin Alehandro Gomez dhe Emiliano Rigoni, në sekondat e fundit, ndërsa portieri I kombëtares shqiptare, Etrit Berishën ishte në stol. Në Itali nuk gaboi vetëm Milani këtë herë, por edhe Roma. Një nga ekipet e cilësuar si pretendentë për titull, u mposht 2-0 në fushën e Bolonjës, duke mbetur shumë prapa kreut. Kryeqytetasit kanë 5 pikë pas 5 ndeshjeve, po aq sa Milani, ndërsa zona Champions largohet gjithnjë e më shumë.
Për bolonjezët, golat u shënuan nga Matielo e Santander.
Në të kundërt, pati festë për ekipin tjetër të kryeqytetit, Lacion. Me Tomas Strakoshën si gjithnjë në portë, formacioni I trajnerit Inzagi triumfoi 4-1 ndaj Xhenoas në stadiumin “Olimpiko”. Autorë golash ishin Kaisedo, Imobile, Milinkoviç-Saviç dhe sërish Imobile, ndërsa miqtë shkurtuan momentalisht diferencën në 1-2 me rrjetën e polakut Piatek. Lacio ka 9 pikë, duke qenë më pranë objektivave të vendosur nga presidenti Lotito dhe drejtori sportiv, Igli Tare./abcnews.al