Janë luajtur ditën e sotme ndeshjet e radhës në Kategorinë e Dytë. Në grupin A ra në sy fitorja e thellë e Shkumbinit. Ekipi nga Peqini triumfoi 7-0 përballë Klosit, kundërshtar të cilin e dominoi plotësisht. Golat e fitores u realizuan nga Nexha (2x), Lamce (2x), Mici dhe Meta, teksa u shënua edhe një autogol nga Klosi.
Fitorja e sotme e ka ngjitur Shkumbinin në vend të dytë me 42 pikë. Sopoti kryeson me një pikë më shumë, por skuadra nga Librazhdi ka luajtur një ndeshje më shumë. Feston edhe Bulqiza, që mposhti 1-2 Shënkollin falë golave të Balliut dhe Merdinit. Vendasve nuk u shërbeu rrjeta e Lleshit në pjesën e parë.
Butrinti dhe Maliqi nuk gabuan në grupi B dhe vijojnë të duelojnë fort për vendin e parë. Sarandiotët fituan 2-0 në shtëpi kundër Delvinës. Mirani dhe Gurma autorët e golave, teksa Butrinti kryeson me 46 pikë. Dy pikë më pak dhe një ndeshje më shumë për të luajtur për Maliqin, që triumfoi 1-3 në fushën e Gramozit.
Mete kaloi vendasit në avantazh në fraksionin e parë të sfidës, por skuadra juglindore përmbysi gjithçka në 45 minutat e dyta falë dygolëshit të Xakës dhe golit të Isufit. Fitore jashtë fushe arritën edhe Devolli me Tepelenën, Labëria mposhti 3-0 Përmetin, ndërsa dueli Albpetrol-Këlcyra nuk prodhoi asnjë gol. /abcnews.al