Nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje janë kryer disa kontrolle dhe inspektime blic në të gjithë burgjet e vendit. Si rezultat i aksionit janë kapur telefona celularë, mjete prerëse të improvizara nga të burgosurit si dhe lëndë narkotike.
Bazuar në këto kontrolle në një periudhë 3 javore, u kapën 17 telefona celular, 6 karta SIM, 9 aksesorë të tjerë telefonash celularë, 135 doza kanabis sativa si dhe 27 mjete prerëse të improvizuara nga të burgosurit.
Për shkeljet e konstatuara janë marrë masa administrative për punonjësit përgjegjës të burgjeve duke u pezulluar nga detyra shefi i Policisë në Drenovë të Korçës për thyerje të skemës së sigurisë, një specialist i grupit të sigurisë po në Drenovë të Korçës, për falsifikim dokumentash dhe një specialist trupe në Fushë Krujë.
Ndërkohë janë proceduar penalisht gjithsej 13 persona mes tyre 1 punonjës policie për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Futja e sendeve të ndaluara nga personi që ka për detyrë t’i ruajë ato” dhe1 punonjës policie për vepren penale të “Falsifikimit të dokumentave”.
Procedim penal u hap edhe ndaj 11 të dënuarve dhe paraburgosurve për veprën penale “Futja e sendeve të ndaluara” si dhe 1 familjar i të dënuarit për veprën penale “Futja e sendeve të ndaluara”./abcnews.al