Sulmuesi i Bayern Munchen, Thomas Muller, është rikthyer të flasë mbi taktikat e Pep Guardiolës. Në një intervistë për “Independent”, gjermani kujton periudhën kur trajneri i City drejtonte bavarezët dhe tregon mënyrën e tij të stërvitjes, si dhe idetë e spanjollit për lojën. Në fund Muller ndalet edhe te Lewandowski, teksa nuk i kursen lëvdatat.
“Futbolli është një lojë gabimesh. Mendoj se gjithmonë duhet ta keni një plan, edhe pse në fushë duhet të jeni gati për çdo situatë. Për shembull, Pep Guardiola kishte një plan në mendje, por ndodhte që pas 10 minutash të ndryshonte gjithçka. Ai vëzhgonte kundërshtarin dhe mendonte se plani im i parë nuk është aq i mirë apo nuk funksionoi.
Unë mendoj se loja zhvillohet edhe jashtë fushës. Trajnerët përpiqen të jenë mbase më sistematike dhe më të përgatitur për detajet që do të ndodhin në fushë.
Nuk e di situatën e tij tek City tani, por kur ishte me ne ai na motivonte duke na thënë se unë do t’iu nxjer të lirë në zone dhe ju më pas duhet të më tregoni talentin dhe aftësitë e juaja”, deklaron gjermani.
“Lewandowski? E njoh Robertin prej një kohe të gjatë. Sa vjen dhe po përmirësohet dhe në tre vitet e fundit ne i besojmë pak më shumë njëri tjetrit. Ne e dimë që kur luajmë së bashku jemi më të fortë.
Unë e di se çfarë kërkon ai dhe në këtë mënyrë di më mirë se kushdo tjetër të luajë me të. Ai është shënuesi ynë më i mirë dhe unë përpiqem t’ia jap topin në atë situatë ku Leva duhet të shënojë dhe ai e bën”, përfundon Muller. /abcnews.al