“Jemi sëmurë!” Artan Hoxha zbulon prapaskenat: 7 gjyqtarë u tërhoqën nga dosja “Çapja”

schedule19:36 - 1 Prill, 2021

schedule 19:36 - 1 Prill, 2021

Në ambientet e pavijonit të kardiologjisë në Tiranë gjykatësja Pajtime Fetahu vendosi që Aridian Çapja të hetohet me masën e arrestit me burg. Ky sipas gazetarit Artan Hoxha është një lajm i mirë, pasi deri më sot ka qenë e pamundur të gjendej një gjyqtar që të vendoste këtë masë sigurie për Çapjan.

52-vjeçari është i shtruar prej tre ditësh tek kardiologjia, në spitalin Nr.1 në QSUT për shkak të problemeve me zemrën ndërsa akuzohet se ka paguar Ervis Bardhin për vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit në 2012-tën në Elbasan.

Gjyqtarja e Elbasanit, Pajtime Fetahu është parë duke hyrë në ambientet e spitalit ndërsa shoqërohej nga një punonjës për sigurinë e saj. Edhe prokurorët Ritvan Sukaj dhe Kreshnik Ajazi janë marrë në mbrojtje nga policia.

Prandaj, siç u shpreh edhe gazetari Hoxha në një bisedë me Jonida Shehun në “Radari Informativ” në ABC, kjo ishte një seancë që nuk e kishim parë ndonjëherë.

Lexo edhe: DOSJA/ Dëshmia e Bardhit që çoi pas hekurave Çapjan: Më ofroi 50 mijë euro për vrasjen e Beqirit

“Ishte një seancë që s’e kishim parë. Por mesa duket, Çapja ka pasur gjithnjë këtë alibi, që ka probleme shëndetësore. Mund të merrte minimumi një arrest shtëpiak, por e pamë të gjithë skemën sot, si shkuan të gjithë të mbrojtur.”

Duke u kthyer tek çështja e gjyqtarëve, Artan Hoxha bëri të ditur se janë shtatë gjyqtarë që janë tërhequr nga kjo çështje duke paraqitur raporte mjekësore.

“Masa duhet të ishte zhvilluar më parë, por ishte e pamundur që të gjeje një gjyqtar që ta jepte këtë masë. Çështja u zhvendos në Tiranë. Ky është skandal, 7 gjyqtarë, kanë refuzuar, duke paraqitur raport mjekësor, që të mos e kalonin këtë masë sigurie.”

Sipas informacioneve të gazetarit, gjyqtarët që janë tërhequr nga kjo çështje janë: Tomorr Kullolli, Bujar Musta, Taulant Tafa, Ramazan Avdia, Idush Maliqi, Matilda Fetahu dhe Miranda Konica.

Sipas gazetarit, veprimi i gjyqtares Fetahu sot ishte i guximshëm, duke marrë parasysh që shtatë kolegë të saj me një karrierë goxha të gjatë janë tërhequr. Gjithashtu, Artan Hoxha theksoi se fakti që gjykata e gjykoi si të drejtë masën e arrestit me burg, do të thotë që alibia për probleme shëndetësore të Çapjas nuk qëndron. sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!