Ivi Kaso, sekretari për çështjet ligjore në PD, përfaqësues politik i koalicionit të djathtë në KQZ deklaroi se kandidatët në fletën e votimit për zgjedhjet e 25 Prillit duhet të identifikohen me emër dhe me një mbiemër. Ai hodhi akuza ndaj socialistëve duke theksuar se ata që më herët ishin “dashnorë” të listave të hapura, sot kërkojnë të fshehin kandidatët pas numrave.
“Zgjedhjet janë për zgjedhësit dhe pastaj për subjektet garuese. Në votimet e fundit, ODHIR çeli raportin përfundimtar me këtë parim. Që zgjedhjet ishin pa standarde për shkak se nuk kishin primare interesin e zgjedhësve. Zgjedhësit në fletë e votimit duhet të gjejë subjektin zgjedhor dhe kandidatin e parapëlqyer. Njerëzit identifikohen me emra dhe jo me numra.
Është çudi e madhe që subjektet që deri dje ishin dashnor të listave të hapura sot kërkojnë të fshehin kandidatët pas numrave. I hapët listat? Ndërhytë në Kushtetutë në mënyrë të njëanshme se jua desh qejfi. Lista të hapura ka kur kandidatët identifikohen me emër dhe mbiemër. Nuk ka asnjë shans që fleta e votimit të mos ketë lehtësinë në identifikimin e kandidatit.
Kjo është një pikë e patolerueshme nga ana jonë dhe e pakonceptueshme që se si një subjekt që kërkoi hapjen e listave tani thotë t’i mbyllim. Propozimi juaj që fleta e votimit duhet të ketë emrin dhe mbiemrin e kandidatëve për ne është i pranueshëm. Edhe në sondazhin e KQZ, ky model ka prevaluar me shumicë votash në krahasim me modelet e tjera. Kemi paraqitur një shqetësim që logo e Bindjes Demokratike ka një ngjashmëri me logon tonë. Duam që modelet që kanë ardhur në këtë sallë të miratohen me një rezervë sa i përket kësaj pike”, deklaroi Ivi Kaso.
Në një mendje me PD, ishte edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, përfaqësuesi i së cilës theksoi se fleta e votimit me emra është me qartë për votuesin./mv.abcnews.al