Drejtuesi politik i partisë demokratike për qarkun Shkodër, Helidon Bushati, ditën e sotme ka zhvilluar një bashkëbisedim me banorët e zonës së Pazarit të Vjetër.
Në fokus të këtyre diskutimeve ishin edhe institucionet e spostuara në Lezhë.
Përveç kësaj, një tjetër problematikë e cila u diskutua është edhe diskriminimi që qeveria sipas tij i ka bërë bashkisë Shkodër sa i përket fondeve, ndërsa qytetarët u shprehën se ndjehen të braktisur nga qeveria.
Ndërkohë Helidon Bushati theksoi se ai do të jetë zëri i fortë në parlamentin e Shqipërisë për problemet në qarkun e Shkodrës.
“Angazhim i marr sot para jush , një angazhim që sjell edhe qëndrimin e partisë demokratike për Shkodrën. Në momentin e ardhjes në pushtet të partisë demokratike, do të rikthehen drejtoritë rajonale që janë spostuar me të padrejtë në kuadër të diskriminimit të Shkodrës, janë larguar nga qyteti i Shkodrës , do të rikthehen drejtoria arsimore, bordi i kullimit arkivave do të rikthehen ne Shkodër. Përsa i përket Shkodrës, është një qytet i bekuar nga Zoti. Kemi lum , liqen, mal. Ne mund ta zhvillojmë Shkodrën ,mund ta bëjmë destinacionin turistik shqiptar Shkodrën për të gjithë vitin,si përsa i përket turizmit veror, ashtu edhe dimëror , si sa i përket turizmit bregdetar, liqenor, lumor, malor.
Për këtë PD dhe ne si përfaqësues të PD në qarkun Shkodër, angazhohemi para jush që të ndërmarrim hapat e nevojshëm për zhvillimin e infrastrukturës. Sa i takon problemit të përmbytjeve, një problem gangren për Shkodrën sidomos, për zonën e Nënshkodër. Kryetari i partisë demokratike dhe kryeministri i ardhshëm Lulzim Basha ka deklaruar në të gjitha daljet e tij publike , do të paguhet çdo faturë e firmosur nga partia demokratike përsa i përket dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet, sepse përmbytjet kanë qenë si rezultat i keqmenaxhimit të Kaskadës. E dyta, do t’i gjendemi gjithnjë afër banorëve të prekur nga përmbytjet. E treta dhe më e rëndësishmja, brenda vitit të parë të qeverisjes tonë do të mbledhim tryeza punë me ekspert më të mirë vendas dhe ndërkombëtar për të zgjidhur përfundimisht, në mënyrë përfundimtare problemin e përmbytjeve”, tha më tej Bushati.
Gjithashtu ai theksoi se rinia duhet të marrë vëmendjen e duhur duke shtuar se edhe qyteti i Shkodrës do të ketë një zhvillim më të madh falë projekteve të PD-së.
“Unë marr angazhim që pas 35 prillit , pasi të kemi çu në shpi Edi Ramën , pasi të kemi çu në shpi të keqen, ne do të sjellim fonde për Shkodrën dhe do ta trajtojmë bashkinë Shkodër njëlloj si çdo bashki tjetër e Shqipërisë. Ne do vendosim shenjën e barazisë midis gjitha qyteteve dhe Shkodra do të trajtohet njëlloj si çdo qytet tjetër i Shqipërisë., padyshim që për Shkodrën do të ketë nje vëmendje më të madhe pasi për 8 vite është nëpërkëmbur , është vjedhur, është kriminalizuar, është denigruar dhe padyshim ne do t’i japim vëmendjen e duhur. Rinia gjithashtu është në qendër të vëmendjes të programit të partisë demokratike , të angazhimeve që merr partia demokratike pas 25 prillit.
Rinia duke filluar nga votuesit për herë të parë, ato që presin të hyjnë për herë të parë në bankat e universitetit, do të ndihmohen në rastet kur nuk kanë mundësi ekonomike për të hyr në universitet. Do të ndihmohen duhet i hequr taksat universitare, për familjet me të ardhura nën 640 mijë lekë të vjetra nuk do të ketë taksa universitare për te rinjtë. Për ato që janë mbi 640 mijë lekë të vjetra do të ketë një reduktim të taksës universitare. Qeverisja e partisë demokratike pas 25 prillit i jep një vëmendje të veçantë të rinjve dhe sidomos të rinjve të talentuar”, u shpreh ai.
/abcnews.al/