Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Si të sjellim paqe në Lindjen e Mesme të Re

schedule19:00 - 31 Mars, 2021

schedule 19:00 - 31 Mars, 2021

Nga Walter Russell Mead, The Wall Street Journal

Procesi i vjetër i paqes në Lindjen e Mesme ka vdekur. Mosmarrëveshja izraelito-palestineze nuk e dominon më axhendën rajonale. Por ndryshimet gjeopolitike që e përshpejtuan shkatërrimin e atij procesi, i ofrojnë administratës së Joe Biden mundësinë për një qasje të re për t’i dhënë fund konfliktit.

Procesi i paqes mes Izraelit dhe Palestinës ishte dikur ngjarja më e madhe diplomatike në planet. Nga sponsorizimi i George H.W. Bush i Konferencës së Madridit, deri tek “Marrëveshja e Shekullit”e Donald Trump, çdo president i SHBA-së në historinë moderne ka investuar kohë, para dhe kapital politik në synimin për të arritur paqen në Lindjen e Mesme.

Asnjë përpjekje diplomatike në historinë e Amerikës nuk ka qenë e një profili më të lartë,  më e qëndrueshme apo më e fortë sesa kjo. Presidentët liberalë, konservatorë, republikanë dhe demokratë, kanë shpresuar të marrin trofeun përfundimtar diplomatik, dhe Çmimin Nobel për Paqe, që me siguri do të vinte bashkë me të.

Presidenti Biden mund të ketë një qasje fillestare më të kujdesshme. Por në këtë drejtim ai po pranon normalitetin e ri. Në vend se të caktojë një përfaqësues special të profilit të lartë për

të filluar negociatat gjithëpërfshirëse, Biden duket se është i kënaqur me rifillimin e ndihmës humanitare dhe arsimore për palestinezët dhe me rinisjen e kontakteve diplomatike. Diplomatët amerikanë do të përpiqen të bindin Izraelin të heqë dorë nga hedhja e hapave (si zgjerimet dramatike të kolonive apo aneksimet në Bregun Perëndimor), që mund të zbehin gjasat e paqes në të ardhmen, ndërsa po tentojnë ta bëjnë statuskuonë aktuale më pak të rëndë për palestinezët.

Dhe kjo qasje ka kuptim. Procesi i vjetër i paqes u zhvillua në një kohë kur SHBA-ja, nuk kishte asnjë rival serioz për udhëheqjen botërore, Lindja e Mesme kishte më shumë rëndësi për ekonominë globale sesa ka sot, dhe shtetet arabe ishin më të fuqishme në rajon sesa sot.

Në ato rrethana, promovimi i procesit të paqes ishte një aspekt i domosdoshëm i aktit ekuilibrues diplomatik të Amerikës, që ndihmoi në ruajtjen e aleancave të Uashingtonit me botën arabe, ndërsa po mbështeste Izraelin.

Që atëherë, shtetet kryesore arabe ose janë zhytur në kaos (Siria dhe Iraku), ose janë bërë kaq shumë të shqetësuara për Iranin, saqë kanë pak energji të tjera për t’ia kushtuar çështjes palestineze. Njëkohësisht, atraktiviteti i Izraelit si një partner tregtar dhe burim i teknologjisë dhe investimeve është rritur shumë.

Ndërsa shtetet e Gjirit po përpiqen të largohen nga një varësi e rrezikshme nga nafta, partneriteti në biznes dhe teknologji me Izraelin, është shumë pozitiv për t’u injoruar. Interesat arabe të sigurisë po drejtohen në të njëjtin drejtim.

Shqetësimet e përbashkëta mbi marrëveshjen bërthamore të Iranit dhe “strumbullarin Aziatik” të administratës Obama,sollën afrimin strategjik midis arabëve dhe izraelitëve, që arriti kulmin me Marrëveshjet Abrahamike të vitin 2020.

Çdo sinjal se administrata e Joe Biden synon të rikthehet në politikën e presidentit Obama për Lindjen e Mesme, ka të ngjarë që t’i afrojë akoma më shumë arabët me izraelitët, dhe të rrisë gatishmërinë e shteteve arabe për të neglizhuar palestinezët, për hir të interesit të botës arabe në përgjithësi.

Për amerikanët, paqja midis izraelitëve dhe palestinezëve mbetet një synim i rëndësishëm dypartiak, dhe rreshtimet e reja rajonale, i ofrojnë SHBA-së një mundësi të rrallë diplomatike për të ndërtuar një koalicion të fuqishëm rreth një qasjeje të re ndaj çështjes palestineze.

Ashtu si të gjitha mundësitë, edhe kjo ka një kosto të bashkangjitur, por administrata ka shumë pak për të humbur dhe shumë për të fituar nga kjo përpjekje. Procesi i vjetër i paqes, kishte të bënte me zgjidhjen e mosmarrëveshjes izraelito-palestineze si një mjet për të zvogëluar antagonizmin midis Izraelit dhe botës Arabe.

Një proces i ri do të përfshinte përfshirjen e aleancës gjithnjë e më të fuqishme izraelito-arabe për të zgjidhur mosmarrëveshjen midis izraelitëve dhe palestinezëve, me një angazhim të besueshëm të SHBA-së për siguri rajonale kundër Iranit, si gur-themeli i një realiteti të ri në Lindjen e Mesme.

Nëse Amerika do të angazhohet qartazi për të punuar me Izraelin dhe shtetet arabe, për të sabotuar përpjekjen e Iranit për epërsi rajonale, edhe një qeveri e djathtë izraelite, mund të pranonte jo pa keqardhje një shtet palestinez në këmbim.

Dhe arabët do të bashkoheshin për të ushtruar presion ndaj palestinezëve që të pranojnë një shtet të tillë, dhe të punojnë me SHBA-në për ta bërë atë një histori suksesi. Zhvillimi i marrëveshjeve rajonale me Izraelin dhe shtetet arabe, nuk do të përjashtonte diplomacinë e vazhdueshme bërthamore amerikane me Teheranin.

Angazhimet e përcaktuara mbi adresimin e rolit rajonal të Iranit, do të tërhiqnin mbështetjen e madhe të republikanëve, duke forcuar pozitën e administratës Biden me partnerë që kujtojnë shumë mirë se çfarë ndodhi me marrëveshjen e Iranit dhe Marrëveshjet e Parisit mbi klimën, kur Shtëpia e Bardhë ndërroi duar në vitin 2017.

Perspektiva e një shteti palestinez dhe e një angazhimi amerikan dypartiak që e stabilizon politikën e SHBA-së në një rajon me një rëndësi të madhe për Bashkimin Evropian, mund të bindë edhe vendet kryesore të BE-së që të mbështesin një linjë më të ashpër mbi sjelljen e gabuar të Iranit, përfshirë mbështetjen e saj për terrorizmin.

Promovimi i pajtimit arabo-izraelit, në një kohë që krijohet një shtet për palestinezët, dhe forcohet një ekuilibër të favorshëm i fuqive në Lindjen e Mesme, do të ishte një arritje e jashtëzakonshme. Kostoja- një angazhim serioz për të punuar me partnerët me synim frenimin e Iranit – do të ishte e madhe, por përfitimet edhe për një sukses të pjesshëm do të ishin po ashtu të mëdha.

Nëse administrata Biden është vërtet serioze në lidhje me mbështetjen e prestigjit amerikan dhe forcimin e aleancave globale të SHBA-së, eksplorimi i perspektivave për një lloj të ri të procesit të paqes në Lindjen e Mesme, duhet të jetë në listën e saj kryesore të detyrave që ka. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!