Vdekja e Finos, Rama falenderon kundërshtarët: Ta vijojnë solidaritetin, të mos shkelin njerëzoren për vota

schedule17:50 - 30 Mars, 2021

schedule 17:50 - 30 Mars, 2021

Kryeministri Edi Rama, takimin e tij në Lezhë e ka nisur me homazhe për të ndjerin Bashkim Fino duke e cilësuar si një njeri të rrallë.

“Së pari dëshiroj të falënderoj Pjerinin për ndjeshmërinë që pati për të kujtuar këtu në këtë shesh një ditë pas humbjes së dhimbshme për të gjithë ne Bashkim Finon. Një mik i posaçëm një vëlla në familjen tonë të madhe. Një njeri i rrallë që siç e pamë të gjithë meritoi vërtetë atë ditë zie dhe respektin edhe të kundërshtarëve.” ka thënë Rama.

Rama gjatë fjalës së tij nuk ngurroi t’i shprehte falënderimin për ndërgjegjësimin e ndjeshmërinë që treguan kundërshtarët politik të cilët ndërprenë fushatën elektorale në nder të të ndjerit Fino. Rama tha, se solidariteti i treguar dje, duhet të vijojë, e të mos shohim skena me mijëra njerëz në takime.

“Në këtë rast meritojnë një falenderim për ndjeshmërinë e shprehur, edhe pse do të ishte mirë vërtetë, do të ishte shumë mirë që të njëjtën ndershmëri të kishin çdo ditë në këto ditë të jashtëzakonshme, ku e gjithë bota përballet me kërcënimin e vdekjes për njerëzit tanë më të dashur, ku ajo që na takon të bëjmë si njerëz, është të bëjmë atë që na takon. Të bëjmë atë detyrë që na takon, të mos shkelim ligjin, rregullat, të mos shkelim kufirin të njerëzores për politikë dhe për vota, duke i vënë njerëzit në rrezik, duke krijuar vatra infektimi përmes grumbullimesh absurde, të turpshme, të papërgjegjshme që tregojnë se në fund të ditës, politika nuk është çështje programesh, nuk është çështje idesh e fjalësh, por çështje karakteri. Karakterin o e ke o se ke, ata nuk e kanë. Për fat të keq karakteri i tyre i dobët që mishërohet tek lidershipi i tyre bëhet pasqyrë i kësaj të përditshme të vështirë për shkak të pandemisë dhe duke dhënë shembulli më keq të mundshëm për të gjithë të tjerët. Ndërkohë që e para gjë që ne që marrim përsipër të përfaqësojmë të tjerët të japim një shembull sa më të mirë, sidomos në gjërat e thjeshta dhe ato që quhen gjëra të vogla. Ne e kemi humbur trenin e historisë sepse nuk e kemi zakon t’i detajojmë gjërat e vogla.” ka thënë Rama. E.L/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!