Ministër i Brendshëm gjatë fushatës, kush është Besfort Lamallari, i “rezistoi” tre rotacioneve

schedule11:51 - 30 Mars, 2021

schedule 11:51 - 30 Mars, 2021

Besfort Lamallari është deleguar nga ministri i Brendshëm Bledi Çuçi për të marrë kompetencat e këtij posti deri më 30 Prill, kjo për shkak të fushatës elektorale, ku Çuçi është drejtues politik për qarkun e Gjirokastrës.

Kush është Besfort Lamallari

Besfort Lamallari është zëvendësministër i Brendshëm që nga 9 Tetori 2017. Ai ka lindur më 18 korrik 1987, në Peshkopi, Dibër. Lamallari ka përfunduar studimet universitare për Drejtësi në Universitetin e Tiranës, në vitin 2009.

Në 2013 është diplomuar në Universitetin e Oksfordit në programin Master shkencor për Kriminologji dhe Drejtësi Penale. Në prill 2017, mori detyrën e Këshilltarit të Ministrit të Punëve të Brendshme, për çështje të luftës kundër krimit të organizuar, trafikut të drogave, radikalizmit dhe terrorizmit.

Rotacionet në Ministrinë e Brendshme

Ai mban postin e zv/ ministrit të Brendshëm që prej 9 tetorit të vitit 2017, dhe ka qëndruar në këtë detyrë në kohën kur ministria ka ndryshuar tre drejtues. Lamallari erdhi në këtë post në kohën kur Ministria e Brendshme drejtohej nga Fatmir Xhafaj i cili e mbajti drejtimin e saj deri më 27 Tetor të vitit 2018.

Xhafaj mori postin e ministrit të Brendshëm në mars 2017 pas dorëheqjes së Saimir Tahirit ndërsa e la këtë post pak javë më vonë pasi një marrëveshje politike mes Ramës dhe Bashës ia kaloi drejtimin e Ministrisë së Brendshme opozitës.

Ai u riemërua ministër në shtator 2017, pasi Partia Socialiste fitoi zgjedhjet parlamentare. Pas largimit të Xhafajt në krye të ministrisë së Brendshme erdhi ish-gjenerali Sandër Lleshaj i cili qëndroi në krye të këtij dikasteri për të paktën dy vite, duke u pasuar në këtë detyrë nga Bledi Çuçi, më herët ministër Bujqësie. Përveç Lamallarit, aktualisht në ministrinë e Brendshme janë tre zv/ministra të tjerë, Romina Kuko, Julian Hodaj dhe Andi Mahila.

/mv.abcnews.al