Organizata Transparency International dhe Instituti për Demokraci e Ndërmjetësim publikuan sot në Tiranë një raport mbi kapjen e shtetit, korrupsionin e lartë dhe ligjet me porosi.
Sipas raportit më të fundit, Shqipëria ka një shtet të kapur nga korrupsioni, ku individë të fuqishëm, institucione, kompani e grupe të fuqishme brenda e jashtë vendit, komplotojnë që politikat, mjedisi ligjor dhe ekonomia t’u shërbejë interesave të tyre private në dëm të publikut.
Studimi përfshin 12 vitet e fundit nga 2008-2020 dhe arrin në përfundimin se kapja e shtetit në Shqipëri është rritur ndjeshëm dhe se korrupsioni i nivelit të lartë nxitet nga privatizimi i pronës publike dhe i shërbimeve.
Ky raport mbështetet në një përmbledhje rastesh korrupsioni të nivelit të lartë, që kanë të bëjnë me rrjetet klienteliste, korrupsionin në sistemin gjyqësor edhe ligjet e bëra me porosi.
Aty analizohen në detaje procese gjyqësore nga “Gërdeci” “Meta-Prifti”, “ARMO”, “Tom Doshi”, “Majlinda Andrea”, “Gjin Gjoni”, “3 Inceneratorët”, “4 Prokurorimet e Shëndetësisë”, çështja “Tahiri”, “Dako”, “Gjiknuri-CEZ”.
Po ashtu renditen edhe shembuj ligjesh të dyshuara se u bënë me porosi, si ligji special për Teatrin, ligji për mediat audiovizive, ligji për lojërat e fatit, për lotarinë kombëtare, ligjin për koncensionet dhe PPP-të, autostradën Milot-Balldre, kompania Air Albania, apo mbi oferta të pakërkuara për ndërtim aeroportesh, si ai i Vlorës, të cilat miratohen me shpejtësi dhe me mangësi nga parlamenti, në mungesë të transparencës dhe konsultimeve publike.
Raporti në dukje tek ato raste mangësi në integritetin e zyrtarëve shtetërorë, në korruptimin e sistemit gjyqësor dhe mënyrën si i trajon ai çështjet penale të korrupsionit si dhe në integritetin e procesit ligjvënës.
“Shqetësim kryesor mbeten ligjet e bëra me porosi, të cilat lehtësojnë skemat e korrupsionit të nivelit të lartë. Rrjetet klienteliste porositin ligje për investime të pakërkuara, të cilat miratohen me shumicë të thjeshtë në parlament, duke shkelur shumë afate, procedura dhe rregulla të mirëqeverisjes” – tha Gjergj Vurmo, bashkautor i studimit.
Këto ligje, thuhet në raport, mundësojnë vjedhjen e burimeve kombëtare përmes procedurave jotransparente të prokurimit, mungesës së integritetit të procesit ligjvënës dhe mbikëqyrjes parlamentare.
“Shumica e projektligjeve propozohen nga qeveria, por dokumentet e tyre mbështetëse nuk shtjellojnë arsyet e propozimit të tyre. Qeveria anashkalon konsultimin publik, i cili, sipas raportimeve nga shoqëria civile, nuk është sistematik dhe rrallë merren në konsideratë” – thekson raporti.
Bashkautorja e studimit, Rovena Sulstarova, thekson nga përfundimet se “mekanizmat institucionale të kontrollit dhe balancës janë të pamjaftueshme; kjo e nxit korrupsionin e lartë, së bashku me administratën publike të politizuar dhe sistemin gjyqësor të korruptuar, që siguron pandëshkueshmërinë për autorët e krimeve”.
Reformat kanë ecur në vazhdën e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, thuhet në studim, por ato nuk kanë qenë të suksesshme në frenimin e kapjes së shtetit dhe situata është përkeqësuar dukshëm, bazuar në shqyrtimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe ligjeve të bëra me porosi.
“Këto prirje vazhdojnë pa u ndalur, pavarësisht reformave të mbështetura nga BE-ja, që synojnë krijimin e një administrate publike profesionale dhe një gjyqësor të paanshëm dhe profesional” – thuhet në raport.
“Në dekadën e fundit u forcua bashkëpunimi mes politikës, biznesit dhe krimit të organizuar, një bashkëpunim, që vitet e fundit ka arritur kulmin e tij. Kontratat qeveritare për biznese të zgjedhura dhe të lidhura me funksionarë të spikatur publikë kanë çuar në keqadministrim të pasurive publike, humbje të jetës dhe rritje të borxheve financiare, që i rëndojnë taksapaguesit shqiptarë” – thekson studimi.
Rrjetet klienteliste me nëpunës publikë dhe interesa private ndikojnë në vendim-marrjen e qeverisë, ndërsa këto skema korrupsioni mbështeten nga pandëshkueshmëria që e siguron gjyqësori i korruptuar, thuhet në raport.
Ritmi i ngadaltë i reformës në drejtësi dhe boshllëku që solli rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve bllokuan disa hetime dhe zgjatën hetime të tjera.
Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë nuk funksionuan për më shumë se dy vjet, thekson studimi, dhe kjo i ka gërryer mekanizmat e kontrollit dhe balancës së pushteteve, ndërsa pandëshkueshmëria solli përfitime të paligjshme.
Mungesa e ekspertizës në parlament dhe largimi i opozitës nga parlamenti në shkurt 2019 lehtësuan miratimin e ligjeve të bëra me porosi, theksojnë autorët.
Në raport thuhet se Parlamenti nuk i përmbushi detyrat kushtetuese për të mbikëqyrur qeverinë dhe për t’u siguruar, që politikat publike u shërbejnë qytetarëve.
“Përballja me kapjen e shtetit në Shqipëri do të mbetet një sfidë e rëndësishme për shkak të trashëgimisë të një qeverie autokratike, që përpiqet të kontrollojë dy pushtetet e tjera legjislativin dhe gjyqësorin – pasigurisë së rezultateve të reformës në drejtësi, dhe një procesi politik të dominuar nga paqëndrueshmëria” – thekson studimi i Transparency International dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim.
Në raport veçohet se integriteti i procesit zgjedhor është dëmtuar rëndë nga bashkëpunimi mes partive politike, zyrtarëve publikë dhe grupeve të krimit të organizuar për blerjen e votave në zgjedhjet vendore dhe të përgjithshme në këmbim të shfrytëzimit të institucioneve publike për interesa private.
Raporti është pjesë e projektit të financuar nga Bashkimi Europian “Dhënia fund pandëshkueshmërisë për korrupsionin e nivelit të lartë ose politik në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi”.
Projekti synon të ulë korrupsionin dhe kapjen e shtetit në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Serbi dhe Turqi, si dhe të përmirësojë qeverisjen, transparencën dhe llogaridhënien e sistemit gjyqësor dhe ligjvënies demokratike./VOA