Përurimi i shtatores së heroit Fehmi Lladrovci dhe heroinës Xhevë Krasniqi-Lladrovci, në Drenas, ka bërë bashkë gjashtë Presidentë shqiptarë. Në fjalën e tij presidenti Thaçi bëri dhe njëherë apel për krijimin sa më të shpejtë të Ushtrisë së Kosovës.
Liderë nga Kosova dhe rajoni morën pjesë në ceremoninë e përurimit të shtatoreve të heroit Fehmi LLadrovci dhe heroinës Xhevë Krasniqi Lladrovci në sheshin kryesor të Drenasit.
Mediat kosovare raportuan se sipas protokollit të shtetit të Kosovës të pranishëm në këtë aktivitet kanë qenë dy presidentët: Hashim Thaçi e Ilir Meta dhe ish-Presidentët e Shqipërisë, Bujar Nishani, Rexhep Mejdani, Alfred Mojsiu, si dhe ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Në fjalën e tij Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, theksoi se është moment që krijimi i ushtrisë të bëhet sa më shpejt. Po ashtu ai premtoi se nuk do të ketë asnjëherë Republika Srbska në vend.
“Është e pamjaftueshme që të jemi vetëm të lirë dhe të pavarur. Ne duhet të integrohemi në NATO dhe BE kështu që tani institucionet e Republikës së Kosovës janë në rrugë të mbarë, të rregullt në koordinim me SHBA-të dhe NATO-n në mënyrë që në muajt e ardhshëm të krijojmë edhe forcat e sigurisë së Kosovës dhe të fillojmë procesin e anëtarësimit dhe integrimit të plotë. Prandaj kam besim të plotë se Kuvendi i Republikës së Kosovës, qeveria dhe institucionet e tjera do të kryejnë me kohë por jo në rrugë triumfaliste të gjitha ndryshimet. Kosova mbështet referendumin në Maqedoni dhe anëtarësimin e saj në NATO”, u shpreh Thaçi.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, falenderoi dy heronjtë, të cilët sipas tij ia kishin dalë që pas 20 vitesh të mblidhnin shqiptarë nga të gjitha anët, në të njëjtin vend.
“Le t’i themi faleminderit heroit Fehmi Lladrovcit dhe heroinës Xhevë Krasniqi-Lladrovcit që na bashkuan të gjithëve sot këtu për t’u uruar rikthimin në bronz në Drenas, në Drenicë e në Kosovë, pasi ata janë jo vetëm nderi i historisë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por janë nder i mbarë kombit shqiptar. Sepse janë një shembull i jashtëzakonshëm i sakrifikimit më sublim në emër të lirisë dhe të emër të idealeve më të mëdha të cilat sollën Kosovën e lirë dhe Kosovën e pavarur”, tha Meta.
Shtatorja u vendos në sheshin “Fehmi Lladrovci” në ditën e 20-vjetorit të rënies së tyre. Po ashtu, të pranishëm në këtë manifestim ishin kryeminsitri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kryeparlamentari, Kadri Veseli, përfaqësuesi nga Maqedonia, Ali Ahmeti dhe shumë të tjerë./abcnews.al