Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka anuluar takimet e planifikuara në Fier për shkak të ndarjes nga jeta të Bashkim Finos.
Ndërkohë që mbështetësit po e prisnin, kryedemokrati ka marrë këtë vendim për të respektuar vendimin e qeverisë, ku sot është shpallur ditë zie kombëtare dhe kështu nuk do të ketë aktivitete elektorale nga PD.
“Për shkak të ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit dhe deputetit të parlamentit Bashkim Fino, kryetari i PD Lulzim Basha vendosi të shtyjë aktivitetet politike të parashikuara për ditën e sotme në Fier me pjesëmarrjen e tij”, sqaron selia blu në një deklaratë.
Më herët Basha shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të deputetit socialist. Basha tha se Fino do të kujtohet gjithnjë si një zë i rëndësishëm në funksion të stabilitetit politik dhe shoqëror të vendit.
Lexo edhe: Ndarja nga jeta e Bashkim Finos, Basha: Do të vlerësohet gjithmonë si një zë i rëndësishëm
Bashkim Fino ndërroi jetë mëngjesin e sotëm, pasi humbi betejën me Covid-19. Qeveria shpalli sot ditë zie kombëtare, ndërsa Finos do t’i bëhet nderimet e fundit në Pallatin e Kongreseve. g.v/abcnews.al