Kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras, deklaroi se Europa duhet të zgjidhë problemin e emigracionit duke u mbështetur në solidaritet dhe sidomos duke ndarë në mënyrë të barabartë përgjegjësitë.
Emigracioni është një problem europian dhe duhet të trajtohet nga Europa në bazat e solidaritetit dhe të ndarjes së drejtë të përgjegjësive, duke respektuar ligjin ndërkombëtar. Deklarata është bërë nga kryeministri grek, Aleksis Tsipras ,gjatë darkës së punës të liderëve të BE-së në kuadër të samitit informal që zhvillohet në Salzburg, Austri.
Kryeministri grek pritet të theksojë domosdoshmërinë që Europa të japë një zgjidhje të kuptueshme për këtë problem duke shtuar se Greqia do të mbështesë ngritjen e menjëhershme të një Roje Kufitare dhe Bregdetare Europiane që do të përfshijë edhe një mekanizëm europian të riatdhetësimit të emigrantëve.
Tsipras do të mbështesë gjithashtu edhe ngritjen e Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, që do të mbështesë shtetet anëtare me më shumë mjete për t’u përballur me katastrofat natyrore, duke theksuar se zjarret në Greqi, Portugali, Francë, Suedi dhe vende të tjera e kanë bërë këtë çështje shumë të rëndësishme./abcnews.al