Fenerbahce ka një plan ambicioz për të ardhmen. Financat nuk janë problem për klubin e famshëm turk, teksa objektivi i parë është rikthimi te titulli kampion, që mungon prej vitit 2014. Në janar u siguruan shërbimet e Mesut Ozil, ndërsa përflitet se mund të kthehet edhe Vedat Muriqi nga Lazio në fund të sezonit.
Por jo vetëm futbollistë. Drejtuesit e “gjigantit” nga Stambolli kërkojnë një emër të madh për stolin. Drejtuesit shkarkuan trajnerin Erol Bulut dy ditë më parë për shkak të rezultateve të dobëta. Për momentin do të gjendet një zgjidhje brenda klubit, ndërsa sezonin e ardhshëm pritet të ulet në stol Maurizio Sarri.
Ajansspor.com raporton se presidenti i Fenerbahces, Ali Koç, ka pasur një takim gjatë ditëve të fundit me trajnerin italian. Biseda mes palëve ka shkuar mirë dhe palët kanë arritur një marrëveshje në parim.
62-vjeçari është tunduar nga projekti dhe do të ulet në stolin e Fenerbahces sezonin e ardhshëm. Palët po merren me detajet e fundit dhe në ditët e ardhshme pritet të arrihet zyrtarizimi. /abcnews.al