Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka zhvilluar një takim me ndihmës sekretaren amerikane të Shtetit, Elisabeth Millard. Gjatë takimit bashkëbiseduesit vlerësuan rëndësinë e ecurisë së reformave për forcimin e shtetit të së drejtës me qëllim konsolidimin e ligjit dhe integrimin europian.
Kreu i shtetit theksoi vendosmërinë e Shqipërisë për përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga dokumenti i partneritetit strategjik mes dy vendeve tona.
Zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor ishin gjithashtu pjesë e diskutimit gjatë të cilit presidenti Meta ka theksuar rëndësinë e finalizimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë përmes një marrëveshjeje që garanton perspektivën europiane dhe konsolidon bashkëjetesën ndëretnike dhe paqen në rajon.
Referendumi në shtetin fqinj Maqedoni është pjesë e rëndësishme, sipas presidentit Meta dhe zëvendës sekretares amerikane të Shtetit Millard për të ardhmen europiane të rajonit./abcnews.al