Blinken: Sanksionet kundër gazsjellësit Nord Stream 2, mundësi reale

schedule17:29 - 24 Mars, 2021

schedule 17:29 - 24 Mars, 2021

Sekretari i Shtetit Antony Blinken njoftoi të mërkurën se i kishte thënë homologut të tij gjerman se sanksionet kundër tubacionit të gazit natyror Nord Stream 2 ishin një mundësi reale dhe se në kundërshtimin amerikan për ndërtimin e gazsjellësit nuk kishte “asnjë paqartësi”.

Deri tani Berlini ka shpresuar se administrata e re e Presidentit Joe Biden do të mbajë një qëndrim pragmatik ndaj projektit për dërgimin e gazit rus në Evropë, pasi ai pothuajse ka përfunduar, thanë zyrtarë dhe diplomatë për agjencinë Reuters.

Duke përsëritur shqetësimet e Presidentit Biden në lidhje me tubacionin që zgjatet nga Rusia në Gjermani, sekretari Blinken tha se i kishte deklaruar Ministrit të Jashtëm gjerman Heiko Maas të martën në një takim privat se kompanitë e përfshira në projekt rrezikojnë të bëhen objekt sanksionesh, sidomos në fazën e përfundimit të ndërtimit.

“E bëra të qartë se firmat e përfshira në ndërtimin e tubacionit rrezikojnë sanksione nga SHBA. Gazsjellësi ndan Evropën, ai ekspozon Ukrainën dhe Evropën Qendrore ndaj manipulimit dhe presionit rus, dhe shkon kundër synimeve të deklaruara nga vetë Evropa për energjinë”, tha sekretari Blinken në një konferencë shtypi.

Kremlini thotë se Nord Stream 2, një sipërmarrje prej 11 miliardë dollarësh e drejtuar nga kompania shtetërore ruse e energjisë Gazprom, është një projekt komercial, por disa administrata amerikane e kanë kundërshtuar projektin dhe Evropa është zotuar të ulë varësinë e saj nga energjia ruse.

Shtetet e Bashkuara dhe vende të Bashkimit Evropian si Polonia, thonë se gazsjellësi Nord Stream 2 është pjesë e masave ekonomike dhe politike të Rusisë për të manipuluar vendet evropiane dhe për të minuar lidhjet transatlantike.

“Ajo që i thashë (ministrit gjerman) është se ne do të vazhdojmë të monitorojmë aktivitetin për të përfunduar ose çertifikuar tubacionin dhe nëse kjo ndodh, do të vendosim për sanksionet,” tha Sekretari Blinken.

Ai tha se ishte e rëndësishme që mesazhi t’i transmetohej drejtpërdrejt ministrit Maas, “thjesht për të bërë të qartë qëndrimin tonë dhe për t’u siguruar se nuk do të ketë paqartësi”.

Sipas njoftimi të Reuters, 18 kompani kohët e fundit kanë braktisur punën në tubacion për të shmangur sanksionet./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!