Nga Ema Shazivari
Bie numri i pacientëve në spitalet Covid. Mjekja pneumologe Eugerta Dilka, tregon se gjatë dy javëve të fundit në spitalin “Shefqet Ndroqi” ka një rënie të ndjeshme të pacientëve të shtruar por edhe të urgjencave ditore.
Një prej arsyeve sipas saj është edhe efektiviteti i vonshëm i masave të marra nga komiteti i ekspertëve.
“Këto ditët e fundit vihet re një rënie e pacientëve të shtruar, edhe paraqitjeve në urgjencë. Numri që ka rënë mbase shpjegohet me efektet e vonshme të masave parandaluese që janë marrë.”
Nëse më herët qytetarët paraqiteshin në spital në çastet e fundit, tashmë vihet re një ndërgjegjësim. Dilko thotë se ka një rënie të pacientëve në moshë të cilët marrin ndihmë mjekësore. Janë grup-mosha mbi 40 vjeç, ata të cilët ndodhen të shtruar në spital.
“Ka edhe mosha të reja të shtruara, por vërtitet tek mosha 40-60 vjeç.”
Por pavarësisht kësaj, ka prej atyre të cilët kanë prekje pulmonare mbi 70%.
“Janë me një insufiçencë respiratore, janë me një prekje të pulmonit në skaner me rreth 70 për qind dhe gjendja e përgjithshme e tyre është e rëndë.”
Këtë të mërkurë, pritet që të lërë spitalin Covid 2, pacientja 19-vjeçare e cila solli në jetë fëmijën në datë 12 mars. Edhe pse u shtrua në gjendje të rëndë shëndetësore, mjekët bënë të mundur që ajo të sillte në jetë një djalë të shëndetshëm, e më pas të mposht edhe virusin. /abcnews.al/