Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi uroi fillimin e vitit të ri shkollor nga gjimnazi “Janaq Kilica” në Fier. Arsimi dhe shkolla tha kryeparlametari kontribuojnë për të ndërtuar një shoqëri që qëndron e bashkuar dhe harmonike, përballë rrezikut të përjashtimit dhe copëtimit social. Në qarkun e Fierit nisin vitin e ri shkollor 44 mijë nxënës dhe 4 mijë mësues në 173 shkolla.
Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit z. Gramoz Ruçi, në gjimnazin “Janaq Kilica”, në Fier:
“Fieri është një potencial i madh rinie, energjie dhe shkollimi: rreth 15% e popullsisë së qarkut janë nxënës shkolle.
Në provimet e maturës shtetërore të këtij viti, nga 1778 maturantë të qarkut Fier, u morën 551 nota dhjeta në të katër provimet.
Qarku është një motor i zhvillimit të vendit, qarku i dytë, pas Tiranës, për nga kontributi me rreth 12% në ekonominë e Shqipërisë.
Sot ekonomitë konkurrojnë jo me forcë të lirë pune, por me dije, shprehi, aftësi dhe produktivitet.
Shqipëria po rritet edhe në saj të ekonomisë së dijes, e cila nuk zhvillohet vetëm në Tiranë, por edhe këtu në Fier dhe në qytetet e tjera të mëdha të vendit.
Ky mandat të jetë mandati i investimeve më të mëdha në arsim, i shtimit të kapaciteteve të mjediseve mësimore, i eliminimit të mësimit me turne, i mundësimit të sistemit të ngrohjes për shumicën e shkollave, i kompletimit të bibliotekave, sallave të teknologjisë së informacionit, laboratorëve e kabineteve, të bazave prodhuese dhe terreneve sportive.
Prandaj le të punojmë të gjithë që ta bëjmë Fierin, të gjithë Myzeqenë e Mallakastrën jo vetëm një hambar prodhimesh, por edhe një rezervuar të madh dijesh.
Arsimi dhe shkolla kontribuojnë për të ndërtuar një shoqëri që qëndron e bashkuar dhe harmonike, përballë rrezikut të përjashtimit dhe copëtimit social.
Për të ndërtuar një vend e shoqëri, strehë të përbashkët e të sigurt, që përmirësohet vazhdimisht nga kontributi i të gjithëve dhe ku të gjithë respektojmë e duam njëri-tjetrin”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit z.Gramoz Ruçi. /abcnews.al