Marrosen pas specave me gjizë? Nga ‘Të dua’ tek kënga shqip e preferuar, ja historia e ambasadorit egjiptian

schedule18:15 - 23 Mars, 2021

schedule 18:15 - 23 Mars, 2021

Ambasador i Egjiptit në Shqipëri Mohamed Heider dhe zonja e tij Reham Wahed nga shtatori i vitit 2020 janë vendosur në Tiranë për shkak të profesionit. Ata ishin të ftuar në studion e “Abc e Pasdites” me moderatorin Ermal Peçi ku treguan se si u gjenden në Shqipëri dhe se si u përshtatën me jetesën ketu. Ambasadori tha se vendi ynë është një vend i njohur në Egjipt pasi revolucionin modern atje e ka realizuar një shqiptar, Mehmet Ali Pasha.  Ndërkohë zonja e tij theksoi se realiteti që shohin çdo ditë këtu është shumë më i bukur se ai që kanë dëgjuar.

“Shqiptarët janë shumë të afërt nga ana kulturore me popullin egjiptian. Janë popull i butë, janë njerëz të afërt dhe kjo në fakt është gjë që nuk e gjen në vende të tjera. Për shembull familja është diçka që nuk e gjen në çdo vend se kanë babain, nënën, gjyshin, gjyshen”, tha ajo.

Ermali i pyet se si janë ato me gjuhën shqipe duke qenë se konsiderohet një nga gjuhët më të vjetra dhe të vështira.

“Vajza është që mëson shumë shqip. Ndodh që vjen vajza nga kopshti dhe na thotë “prit” apo “hajde këtu” dhe na e përkthen. Ne mundohemi që ta kuptojmë dhe mundohemi që të mësojmë disa fjalë kryesisht fjalët e përditshme”, tregoi ambasadori.

Në këtë moment Ermali e pyet zonjën e ambasadorit nëse  ai ka filluar që t’i thotë të dua në gjuhën shqipe. Moment ky që shkaktoi të qeshura në studio.  “Fjalën Të dua e them shumë mirë edhe në shqip”, shtoi ambasadori.

Mesa duket kur bëhet fjalë për natyrën romantike, duket se ambasadori nuk shkëlqen. Ermali e pyet zonjën e tij se çfarë note i vendos nga 1-10, ajo zgjedh notën 8.5 për bashkëshortin. Të dy na habitën me shijet muzikore kur e preferuara e tyre ishte “Karma” e Anxhela Peristerit. Gjithashtu, ata na surprizuan edhe me preferencat në ushqim, ambasadori zgjedh si ushqim të preferuar pispilinë dhe zonja e tij speca me gjizë.

Gjatë bisedës Ermali i pyet për Egjiptin se sa i sigurt është ai për vizitorët dhe se cilat janë rregullat për të shkuar gjatë pandemisë. Edhe ambasadori edhe zonja e tij shtuan se është një vend i sigurt po aq sa Shqipëria dhe se nuk ka kuptim që shqiptarët të mos shohin piramidat apo Sharm el sheikh. Sa i takon rregullave të Covid, ambasadori nënvizoi se duhet të kesh një tampon PCR të bërë 72 orë përpara, ndërsa për ato turistë që janë në udhëtim izolohen në hotel bëjnë tamponin dhe presin përgjigjen./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!