“Rama vetëm ka sharë”, Vokshi në ABC: Fushata e PD me fokus te qytetari, Basha nuk merret me thashetheme

schedule16:12 - 23 Mars, 2021

schedule 16:12 - 23 Mars, 2021

Në një kohë që na ndan një muaj nga 25 prilli, Partia Demokratike dhe ajo Socialiste kanë zgjedhur që të “luajnë” ndryshe. Mazhoranca ka mbajtur në diskurset e saj nota negative, ndërsa opozita ka qëndruar disi më e tërhequr.

Në një bisedë me Juli Xhokaxhi në ABC, Albana Vokshi kandidate e Partisë Demokratike për Tiranën, u shpreh se fushata e partisë ku ajo bën pjesë është e orientuar tek qytetari. Vokshi theksoi se PD nuk merret me thashetheme, por është paraqitur me një plan konkret.

“Fushata e PD është e orientuar tek qytetari. Lulzim Basha ka plan konkret, ne nuk merremi me thashetheme. Nuk janë premtime janë angazhime konkrete. Kemi mekanizmin, fondet, plan konkret dhe për herë të parë një parti politike sjell programin që do të bëjë ndryshimin.”

Zonja Vokshi theksoi se nga pala tjetër ka pasur vetëm sharje, ndërsa nuk mund të flitet për një program konkret.

“Edi Rama nuk ka program, ai nuk ka prezantuar, por vetëm ka sharë. Keni parë një kryeministër në botë që përgojon çdo grua dhe burrë të një force tjetër politike. 99% e shqiptarëve e duan ndryshimin. Më vjen turp që ai është kryeministri im. Unë pres të më japë një alternative. Në çdo sektor janë bërë hapa pas.”

Lexo edhe: Fushata elektorale, përplasjet dhe programi i PD-së, Vokshi: Rama e ndjen humbjen, s’ka as tepsi as timon

E pyetur se sa mendon se do të jetë e aftë PD që t’i qëndrojë pozitive situatës deri në fund, duke sjellë në vëmendje edhe përplasjen e Luçiano Boçit me biznesmenin Gjergj Luca në Elbasan, Vokshi tha se incidentet që po krijohet nga Rama kanë qëllimin krijimin e një situate pasigurie.

“99 për qind të shqiptarëve duan ndryshimin… Në 2017 Rama erdhi me timon dhe tepsi në 2021 nuk ka as timon as tepsi, pra ai e ndjen humbjen. E vetmja gjë që bën është presioni, ai gjithashtu synon që minimizojë numrin e qytetarëve sepse në datën 25 prill pjesëmarrja e tyre i jep fitoren PD-së. Por mesazhi im është që çdo qytetar duhet t’i drejtohet kutive të votimit. ”

Si përfundim, Albana Vokshi u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë në datën 25 prill pasi “vetëm vota mund ta sjellë ndryshimin.” sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!