Bardhi: I kanë vënë këmbën në fyt fermerit, kjo do të marrë fund më 25 prill

schedule14:21 - 23 Mars, 2021

schedule 14:21 - 23 Mars, 2021

Drejtuesi politik i PD për Elbasanin, Gazment Bardhi ditën e sotme ka zhvilluar takime me banorët në Klos të Cërrikut. Ai tha se qeveria aktuale nuk i ka mbështetur në asnjë moment fermerët.

“Jo vetëm nuk i mbështesin fermerët, por edhe i tallin duke i lodhur me letra e burokraci pa fund, që janë jo pak shpenzime, dhe në fund i refuzojnë, pasi kanë vendosur kritere për të favorizuar miqtë e tyre”, tha Bardhi.

Gjatë bashkëbisedimit një nga banorët, Jashari Kumria thotë se energjinë e paguan si biznes dhe nuk ka përfituar asgjë nga ulja e çmimit të naftës.

Ai i thotë Bardhit, se e vetmja shpresë ka ngelur Opozita.

“Vëri këmbën në fyt fermerit e punëtorit që të ngrenë krye ca horra. Kjo ka ndodhur prej 8 vitesh. Kjo do të marrë fund me 25 prill. Të bëhemi bashkë e t’i japim zgjidhje. Socialistë e demokratë, se e kemi hallin të përbashkët. Ne kemi një plan që jep subvencion direkt, pa kritere përjashtuese e pa burokraci, mjafton vetëm karta e identitetit. Secili do të marrë mbi bazën e prodhimit. Janë 100 milionë euro që do të jepen çdo vit. Aq sa nxjerr në serë, në arë, aq do marrësh”, tha Gazment Bardhi.

Bardhi e siguroi se ndryshimi po vjen, dhe se vendi me qeverisjen e PD do t’i kthehet normalitetit, ku çdokush do të ketë mundësinë të punojë e të jetojë këtu.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!