Çfarë është infertiliteti mashkullor?
Infertiliteti është mungesa e një shtatzënie pas 1 viti marrëdhëniesh të pambrojtura. Por kur kjo vjen si pasojë e problemeve që lidhen me parametrat e spermogramës (analiza e spermës) së bashkëshortit atëherë këtij termi i referohemi si infertilitet mashkullor. Infertiliteti mashkullor në bazë të të gjitha statistikave botërore përllogaritet të jetë rreth 30-40 % të çifteve infertil që do të thotë që është po aq sa edhe infertiliteti femëror, dhe kjo ndihmon në rënin poshtë të një tabu-je të madhe që ka ekzistuar dhe deri diku vazhdon të ekzistojë ende në ditët e sotme që kur një çift nuk arrin dot në shtatzëni fajin e ka femra. Një tjetër gjë që doja të vija në dukje është edhe fakti që infertiliteti mashkullor dhe impotenca janë dy gjëra totalisht të ndryshme. Impotenca mashkullore është pamundësia për të kryer marrëdhënie seksuale, gjë që çon në infertilitet dhe kjo për shkak të mungesës së aktit fizik por në asnjë mënyrë nuk janë e njëjta gjë me Infertilitetin mashkullor për shkaqet e shpjeguara më lart dhe si e tillë nuk kanë të njëjtin trajtim.
Trajtimi?
Trajtimi i infertilitetit mashkullor është në varësi të rastit dhe të shkallës së problemit. Përpjekja e parë, në rastet kur problemi është i lehtë apo mesatar, është trajtimi me mjekime për një periudhë 3-6 muaj. Nëse kjo përpjekje dështon atëherë pacientët duhet ti drejtohen teknikave të riprodhimit të asistuar dhe teknika këto që aplikohen vetëm nga mjekë specialistë të fushës së Infertilitetit, ku gjithmonë në varësi të problemit specialistët propozojnë edhe zgjidhjen më efikase. Në shumicën e rasteve pacientët me infertilitet mashkullor i nënshtrohen Fekondimit In-Vitro dhe teknikës së mikroinjeksionit e njohur si ICSI si të vetmen teknikë që ju jep mundësinë për t’u bërë me fëmijë. Me anë të kësaj teknike ne mundemi që atë proces që nuk ndodh në rrugë natyrale ta bëjmë të mundur ne gjë që konsiston në vendosjen e një spermatozoidi brenda çdo veze, proces ky që realizohet në Laboratorë modernë, të mirëpajisur dhe të certifikuar. Krijimi i embrioneve dhe përzgjedhja e embrionit të duhur i jep mundësinë çifteve për të pasur një shtatzëni të suksesshme. Edhe në rastet kur mashkulli nuk ka asnjë qelizë në spermën e tij ekziston një teknikë me anë të të cilës ne arrijmë të marrim material në testikuj, pra në vendin ku prodhohet sperma dhe më tej, me anë të procedurës së Fekondimit In Vitro çifti mund të ketë fëmijën e tyre. Teknikat e Riprodhimit të Asistuar mbeten metodat më efektive në trajtimin e infertilitetit mashkullor. Që prej vitit 1991 kur filloi për herë të parë përdorimi i teknikës së mikroinjeksionit (ICSI) shumë çifte kanë gjetur zgjidhje duke realizuar kështu ëndrrën e tyre të përnderimit.
Rëndësi të veçantë doja t’i kushtoja edhe pjesës psikologjike duke qenë se Infertiliteti është një traumë e madhe psikologjike për pacientët (çiftet) prandaj edhe vlerësimi dhe kujdesi i aspektit psikologjik është shumë i rëndësishëm. Për rezultate optimale ajo çka ne i japim rëndësi gjithmonë është trajtimi në çift, pra ne preferojmë të trajtojmë çiftin pavarësisht ku qëndron problemi. Pra nëse keni probleme me infertilitetin kini parasysh që gjithmonë duhet të shkoni për konsultë të mjeku specialist në çift pra jo vetëm njëri nga partnerët, pasi përballimi i problemit nga të dy partnerët e bën më të lehtë trajtimin.
Këshilla
Këshilla kryesore që do doja të jepja është që çiftet apo meshkujt që kanë probleme të tilla duhet të drejtohen te një mjek specialist i infertilitetit pasi është shumë e rëndësishme diagnostikimi dhe trajtimi në kohën e duhur i këtyre problemeve. Në këtë kontest doja të bëja edhe një thirrje për të gjitha nënat e reja që kanë fëmijë djem, të jenë të kujdesshme dhe të kryejnë gjithmonë pranë konsultoreve kontrollin e testikujve, pra nëse kanë zbritur në pozicionin normal të tyre apo jo. Diagnostikimi në kohë i problemit të mundshëm shpëton fertilitetin e tij. Meshkujt duhet të ndërgjegjësohen që stili i tyre i jetesës ndikon në fertilitetin dhe në shëndetin e fëmijës së tyre të ardhshëm. Çiftet që kanë më shumë se 1 vit marrëdhënie të pambrojtura dhe nuk kanë një shtatzëni duhet të marrin këshillimin e duhur pranë mjekut specialist. Mosha e arritjes së shtatzënisë është shumë e rëndësishme dhe ndërkohë vonesa në kohë për marrjen e trajtimit të duhur ndikon negativisht në mundësitë që ju ofrohen për të përfituar nga teknikat bashkëkohore që aplikohen sot në mjekësi për trajtimin e infertilitetit. Sado e pashpresë t’ju duket situata në të cilën ndodheni, duhet të dini që, gjithmonë ka një mundësi, mjafton që të zgjidhni specialistin/ët dhe trajtimin e duhur./abcnews.al
Dr. Marsel Haxhia
Embriolog i certifikuar nga ESHRE
Klinika e Fertilitetit Hygeia
Kontaktoni: 04 23 90 000/ 0676104393