Nga Vladimir Frolov, The Moscow Times
Presidenti amerikan Joe Biden iu përgjigj papritur me po,pyetjes së moderatorit të televizionit TV ABC George Stephanopoulus nëse ai e konsideronte vrasës presidentin rus Vladimir Putin. Biden premtoi sanksione të reja ndaj Kremlinit në një të ardhme të afërt, si kundërpërgjigje ndaj ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit
Moska reagoi menjëherë duke i kërkuar ambasadorit të saj në Uashington të rikthehej në Rusi për konsultime, për të analizuar “se çfarë duhet bërë,dhe në cilin drejtim duhej lëvizur në kontekstin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara”, si dhe “për të përcaktuar mënyratsesi të riparohet situata kritike e marrëdhënieve ruso-amerikane”.
Në praktikën diplomatike, kjo sjellje quhet një “demarshe”, një demonstrim i pakënaqësisë
së fortë me veprimet dhe deklaratat e një partneri politik, por pa ndonjë pasojë negative konkrete, të paktën jo akoma. Rusia nuk e ka tërhequr zyrtarisht ambasadorin e saj nga SHBA-ja.
Por nëse situata do të përkeqësohet më tej, ai mund të qëndrojë në Moskë për një kohë të pacaktuar. Në fakt, ky është një nga skenarët, sipas të cilit faza e dytë e sanksioneve amerikane mbi përdorimin e armëve kimike nga Rusia -të cilat administrata Biden i njoftoi që në fillim të këtij muaji – do të “reduktonte me tej statusin e marrëdhënieve diplomatike” të Uashingtonit me Moskën.
Pyetja kryesore është nëse deklarata e ashpër dhe e papritur e Biden në drejtim të presidentit rus, ishte thjesht një shembull tjetër i tij i njohur “padurimit gjuhësor”, apo një përshkallëzim i llogaritur dhe i qëllimshëm i konfliktit të tij personal me Putinin – një sfidë e drejtpërdrejtë, të cilën Kremlini nuk do të ishte në gjendje që ta injoronte.
Atëherë,çfarë sinjali po përpiqej të dërgonte Biden? Së pari, nuk ka gjasa që të dy udhëheqësit të takohen personalisht shumë shpejt. Ata mund të përshëndeten formalisht
në samitin e G20, nëse ai nuk do të mbahet online. Por nuk do të ketë një samit të 5 vendeve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit tëOKB, siç ka kërkuar Putin.
Dhe nuk do të ketë një samit dypalësh të tillë si ai Trump me Putinin në Helsinki. Në fakt, komentet e Biden janë vijimësi e strategjisë së tij për reduktimin e ndërveprimit me Rusinë tek një grup i ngushtë temash që i interesojnë Uashingtonit.
Siç vuri në dukje presidenti i SHBA-së gjatë intervistës, është e mundur të “ecësh dhe të përtypësh çamçakëz në të njëjtën kohë”.Deklarata e tij është gjithashtu një sinjal për udhëheqësit e tjerë të G7 dhe vendet e NATO-s, se ata duhet që të minimizojnë kontaktet e tyre personale me udhëheqësin rus.
Mendimi i presidentit amerikan ruan ende një peshë të madhe. Por çdo kryeqytet do të duhet të marrë vendimin e tij. Presidenti francez Emmanuel Macron nuk e ka anuluar ende vizitën e tij të planifikuar në Rusi, dhe mbetet i etur për të qenë mik me Putinin.
Edhe kryeministri i ri japonez, Yoshihide Suga, ka shprehur nevojën për t’u takuar me Putinin për të vazhduar dialogun për një traktat paqeje, madje mund të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Lindor në Vladivostok në shtator të këtij viti. Në vetvete, deklarata e Biden nuk paralajmëron ndonjë veprim të ri të ashpër kundër Rusisë.
Ajo është më shumë një mjet “inkuadrimi”, edhe pse gjithsesi shumë i pakëndshëm.
Tani për tani, Moska do të ruajë një përgjigje të përmbajtur të politikës së jashtme ndaj administratës Biden, pasi nuk ka hequr ende dorë nga shpresa për ndërtimin e një dialogu të qëndrueshëm, të paktën mbi kontrollin e armëve dhe ndoshta për masat rregullatore në hapësirën kibernetike.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan vazhdon që të ketë një dialog pune me Sekretarin e Këshillit Rus të Sigurimit Nikolai Patrushev, edhe pse jo me zëvendëskryetarin e këtij këshilli, Dmitry Medvedev.
Sullivan i telefonon Patrushev çdo muaj, dhe po bëhen përgatitje për një takim mes tyre. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e ka ftuar holomogun e tij rus Sergei Lavrov të marrë pjesë në një konferencë mbi Afganistanin që do të mbahet në muajin prill.
Po ashtu nuk ka gjasa që Putini ta kritikojë Biden personalisht, dhe nëse ftohet qëtë takohet me të, Putini padyshim që do të pranojë. Ndërkohë, reagimi i brendshëm i Kremlinit mund të jetë shumë më i ashpër.
Siç vë në dukje analisti politik i mirë-informuar Alexei Chesnokov në kanalin e tij në Telegram:“Asnjë kompromis nuk është i mundur. Ajo pjesë e elitës politike që nuk shpreh publikisht mbështetjen e saj ndaj Putinit, rrezikon që herët a vonë të konsiderohet si tradhtare”.
Në intervistën e tij, Biden e etiketoi Putinin vrasës në kohën që po i përgjigjej një pyetje në lidhje me raportin e fundit të drejtorit të CIA-s me titull “Kërcënimet e huaja për zgjedhjet federale të SHBA-së të vitit 2020”. Raporti i klasifikuar u paraqit në Kongres më 7 janar 2021 dhe përmbante pretendime se administrata Trump ishte përpjekur të ndikonte tek zbulimet e inteligjencës në favor të saj.
Raporti bën një dallim të qartë midis ndikimit dhe ndërhyrjes në zgjedhje. E para përfshin veprimet nga lojtarët e huaj për të diktuar qëndrimet publike që ndikojnë në pozicionet e kandidatëve, dhe ndoshta për të ndikuar në sjelljen e votuesve përmes një fushate negative kundër njërit prej kandidatëve, dhe një fushate pozitive në mbështetje të tjetrit.
Veprimet e Rusisë i përkasin kategorisë së parë, asaj të ndikimit në zgjedhje. Ato shihen si instrumente të luftës së informacionit, dhe si një mjet përmes të cilit një shtet mund të projektojë fuqinë e tij jashtë vendit. Raporti i CIA përmban pak informacione të reja në lidhje me veprimet e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2020.
Agjencitë amerikane të inteligjencës amerikane, nisën të flasin për ndërhyrjen ruse një vit më parë, për shkak të interesit të Moskës për rizgjedhjen e Trump. Ato zbuluan përpjekje
për të ndikuar në zgjedhje kundër Joe Biden që në zgjedhjet paraprake brenda Partisë Demokratike, kur FBI informoi Bernie Sanders se “aktorët rusë” po punonin për humbjene Biden.
Në gushtin e vitit 2020, Drejtori i Qendrës Kombëtare të Kundërzbulimit dhe Sigurisë William Evanina, deklaroi zyrtarisht se Moska po përpiqej të diskreditonte kandidaturën e Biden si përfaqësuese e “establishmentit anti-rus”.
Sipas Evanina, shërbimet speciale ruse po punonin përmes kontakteve të tyre në parlamentin ukrainas,me Rada Verkhovna dhe Andriy Derkach, duke bërë publike regjistrime të redaktuara të bisedave telefonike midis zëvendëspresidentit të atëhershëm Biden dhe presidentit të Ukrainës Petro Poroshenko.
Madje,CIA pretendon se Vladimir Putin drejtoi personalisht fushatën për të diskredituar Biden. Implikimet e raportit në drejtim të sanksioneve do të bëhen të dukshme javën e ardhshme. Bloomberg raporton se sanksionet do të ndikojnë tek udhëheqja ruse, edhe pse shumica e atyre individëve tashmë janë në shënjestër të sanksioneve. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

