Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Si BE dhe SHBA mund të ndihmojnë vendet e Ballkanit Perëndimor

schedule12:13 - 20 Mars, 2021

schedule 12:13 - 20 Mars, 2021

Nga Valbona Zeneli Cameron Munter, National Interest

“Rikthimi” i Shteteve të Bashkuara në Evropë, është një lajm i mirë për aleancën transatlantike, pasi është themeli më i fortë mbi të cilin ndërtohet siguria dhe prosperiteti i Perëndimit.

“Aleanca transatlantike është në një thelbi i Perëndimit- theksoi presidenti amerikan Joe Biden në fjalimin e tij në Konferencën virtuale të Sigurisë së Mynihut muajin e kaluar, teksa sfidat me të cilat përballet sot Amerika janë bërë më të vështira për t’u adresuar në një epokë të re të konkurrencës së madhe mes fuqive.

Perëndimi ka tani një mundësi unike për të çelur një kapitull të ri në forcimin e marrëdhënieve transatlantike, pasi administrata e re e SHBA-së po ofron një mundësi për të punuar së bashku me synim kapërcimin e sfidave dhe fërkimeve aktuale, duke e ripërtërirë në këtë mënyrë aleancën transatlantike.

Në një test të forcimit të besimit në të dyja anët e Atlantikut, konsultimet, koordinimi dhe bashkëpunimi do të kenë përparësi në adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë. Çështjet më emergjente në tryezë variojnë nga qasjet e përbashkëta transatlantike ndaj Kinës dhe Rusisë, taktikat e përbashkëta për ri-angazhimit me Iranin, deri tek reagimi ndaj ndryshimeve klimatike, NATO dhe pandemia e koronavirusit.

Në këtë kuadër, marrëdhëniet dypalëshe midis Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara kanë potencialin të diktojnë karakterin dhe përmbajtjen e ardhshme të marrëdhënieve transatlantike.

Në këtë kuadër, disa përfaqësues gjermanë nga akademia, ushtria dhe politika, rekomandojnë në studimin e tyre me titull “Më shumë ambicie, ju lutem”, 5 kërkesa thelbësore për një marrëveshje të re midis Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Konsensusi i ri fokusohet në 5 fusha kryesore të politikës:Kina, NATO, pandemia e koronavirusit, klima, teknologjia dhe tregtia. Por kësaj liste duhet t’i shtohet edhe një e gjashtë:Ballkani Perëndimor, për të arritur “ndërtimin e Evropë si një e tërë, e lirë dhe në paqe”.

Është me rëndësi të theksohet se Ballkani Perëndimor, nuk është thjesht çështja e radhës që kërkon vëmendje të madhe, teksa administrata Biden po synon përmirësimin e marrëdhënieve me Evropën . Përkundrazi, zgjidhjet në Ballkanin Perëndimor janë pjesë përbërëse e suksesit të përparësive të tjera në marrëdhëniet transatlantike.

Kjo do të thotë se vendet e këtij rajoni mund të kontribuojnë në zgjidhjet e çështjeve kryesore transnacionale të kontrollit të pandemisë dhe ndryshimeve të klimës. Për momentin Ballkani Perëndimor nuk është në një gjendje të shkëlqyer, pasi po vuan rënien më të keqe ekonomike në 20 vitet e fundit.

Pandemia e koronavirusit ka dëmtuar rëndë shëndetin fizik, social dhe ekonomik të rajonit. Divergjenca ekonomike me Evropën Perëndimore po zgjerohet. Dhjetë vjet më parë, të ardhurat mesatare për frymë në rajon përbënin vetëm 15 për qind të mesatares së BE-së. Sot, vetëm 14 për qind, me vetëm 6.000 dollarë të ardhura mesatare për frymë.

Ndërsa qeveritë kanë ndërmarrë masa emergjente dhe kanë miratuar paketa të mbështetjes ekonomike, shkalla e sfidave me siguri që i ka tejkaluar kapacitetet e tyre kombëtare për të reaguar. Vendet e rajonit, ndodhen në një pozitë shumë më të pafavorshme krahasuar me vendet e BE-së në aftësinë e tyre për t’u përballur me krizat ekonomike dhe konverguese, pasi atyre u mungojnë fondet dhe aftësitë.

Procesi aktual i integrimit në BE ka ngecur në vend. Pandemia i ka përkeqësuar gjërat më tej, duke nxjerrë më në pah mangësitë e politikës së BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor, si dhe divergjencën ekonomike dhe politike të rajonit në raport me standardet e BE-së.

Dhe kjo pasi kriza e vitit 2020, ka favorizuar liderët e dorës së fortë, që po tërheqin gjithnjë e më shumë nga modelet kineze dhe ruse të kapitalizmit autoritar. E megjithatë, në vend se t’i shohë vendet kandidate të rajonit për anëtarësimin në BE, si një tjetër problem në një listë të gjatë andrallash që ka sot BE-ja, komuniteti transatlantik mund të shfrytëzojë interesat dhe përvojën e Ballkanit Perëndimor për të adresuar të ardhmen e vet.

Integrimi evropian dhe bashkëpunimi transatlantik, janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme, si dy anët e së njëjtës medalje. Ai është gjithashtu qendra e gravitetit për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Pas Luftës së Dytë Botërore, prania dhe angazhimi i Shteteve të Bashkuara, siguroi paqen dhe stabilitetin në kontinentin evropian dhe krijoi kushtet për integrimin dhe prosperitetin evropian.

Në vitet 1990, roli i Shteteve të Bashkuara ishte i domosdoshëm për rivendosjen e paqes në Ballkan pas shpërbërjes së përgjakshme të ish-Jugosllavisë. Sot “çështje ende të hapura në Ballkan” dhe integrimi euro-atlantik i rajonit mund të adresohen vetëm përmes një qasjeje transatlantike.

Marrëdhënia e vjetër e Joe Biden me Ballkanin, duhet që të lehtësojë rrugën e rivendosjes së transatlantizmit dhe ri ngjalljes së përpjekjeve të përbashkëta në integrimin euro-atlantik të rajonit. Qasja e re transatlantike ndaj këtij rajoni, duhet të përqendrohet tek vlerat thelbësore demokratike.

Një strategji e përbashkët transatlantike, me marrëdhëniet gjermano-amerikane si shtylla kurrizore e aleancës, duhet të fokusohet në fushat kryesore: integrimi euro-atlantik i rajonit, zgjidhja e çështjeve dypalëshe, qëndrueshmëria, Kina dhe zhvillimi ekonomik dhe siguria e energjisë.

Le të shohim disa shembuj. Tani që Evropa dhe Amerika janë duke biseduar sërish me njëra-tjetrën, duhet të jetë e lehtë (të paktën institucionalisht) që të dilet me një axhendë të përbashkët për problemin e ngutshëm të Kosovës dhe Serbisë.

Dhe për ta arritur këtë do të kërkohet vëmendje e veçantë edhe për çështje të tilla si korrupsioni dhe sundimi i ligjit, por jo vetëm sepse Perëndimi ua predikon këtë gjë vendeve aspirante, por sepse pa trajtuar këto probleme Kosova dhe Serbia nuk do të jenë partnerë realistë në ekonominë e re post-Covid. E njëjta gjë vlen edhe për Bosnjën.

Një temë tjetër prioritare për Evropën dhe Amerikën është Kina. Rritja e Kinës, përfaqëson sfida të rëndësishme për komunitetin transatlantik. Aktivitetet e rritura kineze në Ballkanin Perëndimor, përmes tregtisë, investimeve, huave të dhëna, por edhe përmes veprimtarive arsimore dhe mediatike, e kanë forcuar ndjeshëm pozitën e saj në rajon.

Prandaj çdo qasje e koordinuar BE-SHBA ndaj Kinës, duhet të përfshijë Ballkanin Perëndimor, përfshirë partneritetin transatlantik në shfaqjen e Investimeve të Huaja Direkte që duhet të shtrihen përtej BE-së, për t’iu kundërvënë strategjisë së investimeve dhe ndikimit të Kinës përmes BRI-së dhe platformës“17+1”.

Ne nuk duhet të vazhdojmë ta shohim Ballkanin Perëndimor, si një trofe që duhet të merret nga njëra apo tjetra palë. Përkundrazi, përparësia e madhe e një qasjeje të përbashkët perëndimore, është se ne mund ta sjellim Ballkanin Perëndimor në strategjinë tonë evolucionare përballë Kinës. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

*Marrë me shkurtime

Shënim:Valbona Zeneli, profesoreshë e studimeve të sigurisë kombëtare dhe kryetare e departamentit të iniciativave strategjike në Qendrën Evropiane të Studimeve të Sigurisë George C.Marshall. Cameron Munter, një diplomat amerikan në pension. Ka qenë ambasador i SHBA-së në Serbi në vitet 2007-2009.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!