Uragani Florence që po godet Shtetet e Bashkuara ka humbur fuqinë e tij dhe tashmë klasifikohet si stuhi tropikale. Megjithatë bilanci i viktimave ka shkuar në 13 të vdekur. Nga ana tjetër autoritetet vijojnë evakuimet.
Të paktën 13 persona kanë humbur jetën në SHtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të kalimin në brigjet atlantike të uraganit “Florence”, i deklasuar tashmë në stuhi tropikale. Megjithatë mbetet një kërcënim për shkak të sasive shumë të mëdha të shiut që sjell dhe përmbytjeve që shkakton. Autoritetet kanë paralajmëruar njerëzit e zhvendosur që të mos përpiqen të shkojnë në shtëpi. Sipas raporteve të medias amerikane, nga 13 të vdekur, 10 u regjistruan në Karolinën e Veriut, tre të tjerë në Karolinën e Jugut, duke përfshirë një grua 61-vjeçare të vrarë të premten, kur makina e saj goditi një pemë që kishte rënë në rrugë.
Shumë prej banorëve kanë injoruar urdhrat e evakuimit dhe tani, të izoluar në shtëpitë e tyre të përmbytura, kërkojnë ndihmë. Në zonat e prekura nga ndërhyrë njerëzit e mbrojtjes civile por edhe vullnetarë. Mbi 400 vetë u shpëtuan në Neë Bern, ku u verifikua një përmbytje me ujin që arrin deri në mbi tre metra. Mbi 20 mijë qytetarë janë evakuuar dhe janë vendosur në qendrat e pritjes të ngritura nga mbrojtja civile.
Mësohet se ka rënë deri në 100 cm shi në disa zona. Ndërkohë, në disa vende janë lëshuar urdhëra të tjera për evakuuime për shkak të ngritjes së nivelit të ujit në lumenj. Nga ana tjetër presidenti amerikan Donald Trump vazhdon të monitorojë situatën nga Shtëpia e Bardhë pas miratimit të një Deklarate të Fatkeqësisë Natyrore për Karolinën e Veriut që do të vendosë më shumë burime në dispozicion për të përballuar emergjencat. Në fillim ose në mes të javës ai do të vizitojë disa nga zonat e prekura. /abcnews.al