Mesfushori i Milanit, Brahim Diaz, është rikthyer të flasë për ecurinë e kuqezinjve. Spanjolli në një intervistë për “Milan TV”, tregon se ekipi është i zemëruar pas eliminimit nga Europa League dhe kërkon përqëndrim maksimal tashmë në Serie A nga shokët e skuadrës.
“Ne gjithmonë kemi luajtur në një nivel të mirë këtë sezon. Jemi të bashkuar dhe personalisht jam i lumtur. Dje na munguan detajet e vogla, por jam krenar për ekipin. Tani na mbetet të mendojmë për kampionatin dhe të fitojmë të gjitha ndeshjet që na kanë mbetur”, deklaron spanjolli.
“Eliminimi nga Europa League padyshim që ishte i hidhur. Jemi të zemëruar sepse kemi merituar më shumë. Besoj se kjo humbje do të na japë forcë për pjesën e mbetur të sezonit. Një rezultat i tillë na bën më të bashkuar.
Pozicioni im? Nuk ka rëndësi ku luaj, për sa kohë jam në fushë. Më pëlqen të kem topin në këmbët e mia. Për momentin mendojmë vetëm për Fiorentinën, ku duhet të japim më të mirën tonë. Ata janë një ekip i mirë dhe kanë lojtarë të cilësorë. Duhet të përqendrohemi te vetja jonë dhe të japim gjithçka”, përfundon Diaz. /abcnews.al

