Zyrtarët në Uashington po reagojnë me qetësi ndaj gjestit të Moskës, e cila thirri ambasadorin e saj në Shtetet e Bashkuara për konsultime mbi marrëdhëniet e përkeqësuara dypalëshe.
Ministria e Jashtme ruse, duke shpjeguar kthimin e përkohshëm të ambasadorit Anatoly Antonov, deklaroi: “Më e rëndësishmja për ne është të identifikojmë rrugët e korrigjimit të marrëdhënieve Rusi-SHBA, të cilat po kalojnë kohë të vështira pasi Uashingtoni, në fakt, i ka futur ato në rrugë pa krye. Ne jemi të interesuar të parandalojmë një përkeqësim të pakthyeshëm të marrëdhënieve, nëse amerikanët bëhen të vetëdijshëm për rreziqet që lidhen me këtë”.
Njoftimi nga Moska erdhi menjëherë pas një interviste të transmetuar të mërkurën në mëngjes nga televizioni ABC, në të cilën Presidenti i SHBA Joe Biden tha se Presidenti rus Vladimir Putin “do të paguajë çmim” për veprimet e tij keqdashëse.
Biden gjithashtu bënte të ditur në intervistë se i kishte thënë Putinit, “Unë nuk mendoj se ju keni shpirt.” Ai tha se udhëheqësi rus i ishte përgjigjur: “Ne e kuptojmë njëri-tjetrin.”
I pyetur nga intervistuesi nëse ai beson se Putini është një vrasës, Biden u përgjigj, “Po.”
Sipas një bashkëpunëtori të lartë të Korporatës RAND, William Courtney, “është diçka e rrallë që një president amerikan t’i referohet udhëheqësit të një fuqie të madhe kundërshtare si vrasës”.
Courtney, i cili ishte ka qenë negociator në bisedimet e SHBA me Bashkimin Sovjetik për çështjet e mbrojtjes, i tha Zërit të Amerikës se “ndonjëherë qeveritë i tërheqin ambasadorët kur ka fyerje”.
“Dhe, sigurisht, administrata Biden po flet për më shumë sanksione në lidhje me sulmin kibernetik kundër kompanisë SolarWinds. Pra, të dy këta mund të jenë faktorë” në hapin e ndërmarrë nga Moska për thirrjen e ambasadorit të saj, tha ai.
Në konferencën për shtyp të së mërkurës, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki nuk pranoi të specifikojë nëse Biden beson se presidenti rus është një vrasës, qoftë në kuptimin e plotë të fjalës apo në mënyrë metaforike.
E pyetur në lidhje me thirrjen e ambasadorit nga Moska, sekretarja e shtypit tha se administrata Biden “do të mbajë një qëndrim tjetër në marrëdhëniet me Rusinë, të ndryshëm nga administrata e mëparshme.” Ne do të jemi të drejtpërdrejtë, tha jo. Do të jemi gjithashtu të drejtpërdrejtë në aspektet ku kemi shqetësime.”
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Jalina Porter u tha gazetarëve: “edhe kur ne përpiqemi të punojmë me Rusinë për të avancuar interesat e SHBA, ne do ta mbajmë Rusinë përgjegjëse për çdo veprim të tyre keqdashës.”
Administrata Biden ka shprehur interes për të punuar me Moskën në fushat me interes të ndërsjellë, të tilla si një pakt i ri për armët bërthamore dhe zbutja e efekteve të ndryshimit të klimës.
Biden më herët urdhëroi publikimin e një versioni të deklasifikuar të një raporti të zbulimit amerikan ku thuhet se “media shtetërore ruse dhe njerëz të paguar prej saj në internet, duke përfshirë ato të drejtuara nga zbulimi rus, përhapën komente nënçmuese për Presidentin Biden, familjen e tij dhe Partinë Demokrate si dhe amplifikuan thashetheme të ngjashme që qarkullonin në mediat amerikane, duke përfshirë histori që lidheshin me djalin e tij.”
Rusia dhe Irani, sipas raportit, u angazhuan në përpjekje më të gjera për të minuar besimin e publikut amerikan tek zgjedhjet.
Zëdhënësi presidencial rus Dmitry Peskov tha të mërkurën se raporti i zbulimit amerikan është “i gabuar dhe nuk ka absolutisht asnjë bazë ose provë”.
Ndërkaq, të mërkurën qeveria e SHBA njoftoi sanksione shtesë ndaj Rusisë për përdorimin e armëve kimike kundër disidentëve./VOA