Haradinaj: Nuk kam përgjigje për kandidaturën e Osmanit për presidente, VV e ka përgjegjësi

schedule14:11 - 18 Mars, 2021

schedule 14:11 - 18 Mars, 2021

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, këtë të enjte ka deklaruar se ai dhe partia e tij do të jenë pjesë e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Haradinaj ndër të tjera ka theksuar se në lidhje me çdo aleancë të mundshme grupi parlamentar i AAK-së do të diskutojë veç e veç.

Ndër të tjera pas takimin që ka zhvilluar me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, i cili ka nisur vizitën e tij në Kosovë, me qëllim të diskutimit të procesit të regjistrimit të popullsisë së diasporës, ka thënë se përgjegjësi e Lëvizjes Vetëvendosje që t’i sigurojë votat e nevojshme në kuvendin e ri, për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

“Fituesit e zgjedhjeve e gjejnë formulën për ta krijuar Qeverinë; dy të tretat për presidentin janë në përgjegjësinë e tyre”, ka thënë Haradinaj.

Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, ndërsa Osmani, e cila në këto zgjedhje ka garuar në kuadër të listës së LVV-së, po kërkon një mandat të plotë në krye të shtetit.

Edhe Haradinaj ka garuar në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, duke e propozuar veten për postin e presidentit. Pas takimit konsultativ me Osmanin dhe Kurtin më 15 mars, ai nuk ka treguar nëse ka hequr dorë nga ambicia për postin e presidentit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!