Fituesja e Çmimit Nobel mbron arrestimin e gazetarëve

schedule08:37 - 14 Shtator, 2018

schedule 08:37 - 14 Shtator, 2018

Kryeministrja e Birmanisë, fituese e çmimit Nobel për Paqen, ka mbrojtur burgosjen e dy gazetarëve të agjencisë së lajmeve “Rojters”. Duke iu përgjigjur kritikave në adresë të saj, Aung San Su Ki ka deklaruar se dënimi i reporterëve nuk ka lidhje me lirinë e shprehjes.

Liderja e Birmanisë, fituese e çmimit Nobel për Paqen ka mbrojtur arrestimin e dy gazetarëve të “Reuters”, që po raportonin për dhunën e ushtruar ndaj banorëve të etnisë rohingia. “Ata kanë shkelur ligjin dhe dënimi nuk ka lidhje me lirinë e shprehjes”, ka deklaruar Su Ki nga Forumi Botëror Ekonomik që po zhvillohet në Hanoi të Vietnamit. Sa i takon fushatës ushtarake ndaj rohingiave, kryeministrja de fakto birmane ka pranuar se situata mund të ishte menaxhuar më mirë. “Natyrisht mendoj se ka mënyra të tjera dhe se situata mund të ishte kontrolluar më mirë”, ka shtuar Su Ki. Organizata Amnesty International ka reaguar ashpër duke kritikuar fituesen e Nobelit se me deklaratën e saj në lidhje me dy reporterët “ka mbrojtur të pambrojtshmen”. “Kjo është një përpjekje skandaloze për të mbrojtur të pambrojtshmen. Të thuash që ky rast nuk ka lidhje me lirinë e shprehjes dhe që gazetarët nuk janë burgosur për shkak të profesionit është një fantazi e shfrenuar”, ka deklaruar Minar Pimpëll, drejtor për operacionet globale të Amnesty International. Ai ka shtuar se dy gazetarët janë dënuar për shkak të një ligji arkaik që daton që nga epoka kolonialiste, me qëllim pengimin e investigimit të tyre mbi mizoritë e frikshme të kryera në shtetin Rakine. Dy gazetarët u arrestuan dhjetorin e kaluar dhe më 3 shtator u dënuan me 7 vjet burg për posedim të dokumentave të rezervuara, që në thelb tregonin masakrat ndaj rohingiave. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!