Më 25 Prill, rreth 3.6 milionë shqiptarë kanë të drejtën për të shkuar drejt qendrave të votimit. Ministria e Brendshme ka publikuar listën përfundimtare të zgjedhësve, të cilët janë konkretisht 3,588,869 shtetas shqiptarë.
Prej tyre, 50.5 % e tyre janë votues meshkuj dhe 49.5 % e tyre janë votues femra, ndërkohë që 107,024 zgjedhës votojnë për herë të parë. Nga ana tjetër 1098 qytetarë nuk do munden të votojnë për shkak se janë bllokuar si shkak apo rrjedhojë e ligjit të dekriminalizimit. Numri total i qendrave të votimit në të gjithë vendin është 5199.
Gjatë deklaratës së bërë ditën e sotme, drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile Bledar Doracaj tregoi procedurat e hartimit të listave përfundimtare. Ai i bëri apel qytetarëve të verifikojnë emrin e tyre në listën e zgjedhësve (KLIKO KËTU) ndërsa bëri apel që ata që u ka skaduar dokumenti i identifikimit t’u drejtohen zyrave të aplikimit.
“Ministria e Brendshme thekson se i gjithë ky proces i hartimit të listës përfundimtare të zgjedhësve është kryer nën mbikëqyrjen e auditëve teknicienë të Komisionit Qendror të Zgjedhësve. Në çdo etapë të tij, auditët kanë pasur të njëjtin akses që ka Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.
Në vijim të komunikimeve për listën e zgjedhësve, nënvizojmë se ky proces ka kaluar në disa faza në zbatim të dekretit të Presidentit. Çdo qytetar është i lutur të verifikojë emrin e tij në listën e zgjedhësve nëpërmjet shërbimit online në portalin “e-albania” si dhe për çdo pretendim mund t’u drejtohet zyrave të Gjendjes Civile në bashki dhe njësi administrative, të cilat do të vijojnë të qëndrojnë të hapura nga dita e hënë, deri në ditën e shtunë.
Lista përfundimtare e zgjedhësve përmbyll kështu procesin e hartimit dhe shpalljes së Listës së Zgjedhësve. DPGJC në çdo bashki, ashtu sikurse deri më tani, do të përmbushë në vijim çdo detyrim ligjor, që rrjedh nga Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore.
Edhe njëherë përfitoj nga rasti, të ftoj çdo qytetar që posedon një dokument biometrik, letërnjoftim apo pasaportë, të cilës i ka skaduar afati i vlefshmërisë, t’u drejtohet zyrave të aplikimit, për t’u pajisur me këto dokumente me qëllim që në datën 25 prill, të kenë mundësi të shprehin vullnetin e tyre. Faleminderit”, deklaroi ai./mv.abcnews.al