Ndërsa në lindje te Shteteve të Bashkuara vijon evakuuimi i banorëve që pritet të preken nga uragani “Florens”, meteorologët paralajmërojnë se ajo mund të jetë stuhija e shekullit dhe të shkaktojë dëme me vlerë deri në 170 miliardë dollarë.
Banorët në Bregun Lindor të Shteteve të Bashkuara po largohen për t’i shpëtuar uraganit “Florens”, që pritet të godasë zonën në orët e para të së premtes. Stuhia ka humbur fuqi dhe është degraduar në nivelin 3, me erëra që fryjnë me 125 metër në orë, por ekspertët paralajmërojnë se ajo mbetet ende shumë e rrezikshme. Deri në 1.7 milionë banorë janë urdhëruar të evakuuohen në Karolinën e Jugut, atë të Veriut dhe Virxhinia. Sipas mediave amerikane, në 4 autostrada udhëtimi është bërë në sens unik, për të përshpejtuar eksodin. Të mërkurën autoritetet amerikane shpallën gjendjen e jashtëzakonshme në Xhorxhia, Virxhinia, Merilend dhe Uashington Di Si.
Një specialist i stacionit kombëtar meteorologjik ka deklaruar se për dy Karolinat ka gjasa që kjo të jetë stuhija e shekullit për nga përmasat. “Potenciali i saj është i jashtëzakonshëm. Ajo do të jetë si grushti i Majk Tajson”, ka deklaruar Xhef Biard. Në të njëjtën linjë guvernatori i Karolinës së Veriut, Roj Kuper ka paralajmëruar se katastrofa ndodhet tek porta dhe se dhjetëra mijëra shtëpi mund të përmbyten. Sipas një përllogaritjeje paraprake, uragani “Florens” mund të shkatërrojë rreth 760 mijë shtëpi dhe biznese dhe të shkaktojë dëme me vlerë 170 miliardë dollarë./abcnews.al